Qeveria gjermane miraton ashpërsimin e kushteve të azilit
Qeveria gjermane miratoi sot në Këshillin e Ministrave disa masa përballë fluksit rekord të imigrantëve që parashikojnë ashpërsimin e disa kushteve të të drejtës për azil dhe për përjashtimin e shtetasve nga Ballkani, gjë që ka ngjallur kritika të OJQ-ve.
Berlini synon veçanërisht të lehtësojë ndërtimin e qendrave të reja të pritjes dhe t’i japë më shumë hapësirë kurseve të gjuhës gjermane dhe në të njëjtën kohë të përshpejtojë procedurat e shqyrtimit të kërkesave për azil si dhe të rikthejë në vendet e tyre të origjinës personat, të cilëve iu refuzohetkërkesa për azil.
Masat, miratuar në Këshillin e Ministrave dhe që do të shqyrtohen në Parlament, parashikojnë në mënyrë të veçantë të shpallin tre vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi si vende të sigurta të origjinës, me objektivin për të bërë të mundur rikthimin më lehtë të shtetasve të këtyre vendeve.
Në gjashtë mujorin e parë 2015, rreth 40 për qind e azilkërkuesve ishin me origjinë nga këto vende, ndërkohë që mundësia për pranimin e kërkesës së tyre është shumë e ulët, një për qind.
Kjo shifër ngadalëson gjithashtu procesin e shqyrtimit të kërkesave të sirianëve apo irakianë që kanë më shumë mundësi që kerkesat e tyre të pranohen.
Përveç të tjerave, është parashikuar që refugjatët pas mbërritjes në Gjermani në qendrat e para të pritjes të marrin gjithashtu shërbime të ndryshme në vend të parave në dorë.
Gjermania ka parashikuar të presë deri në një milionë imigrantë këtë vit, një shifër rekord që vë në rrezik kapacitetet e pritjes së vendit dhe ngjall pakënaqësi në radhët e familjes politike konservatore të kancelares, Angela Merkel.
Si kundërpeshë për bujarinë e shfaqur për pritjen e imigrantëve, Berlini kërkon të tregohet më i vendosur për dëbimin e azilkërkuesve të refuzuar dhe mbi kushtet e azilit duke ngjallur kritika të disa organizatave joqeveritare.
Një zyrtar i organizatës për mbrojtjen e refugjatëve ”Pro Asyl”, Gunter Burkhardt theksoi për të përditshmen ”Süddeutsche Zeitung” se këto masa përbëjnë një ”poshtërim” për azilkërkuesit në Gjermani dhe do të frenojnë integrimin e tyre.
Burimi: ATSH