Qeveria “e majtë” në Shqipëri shtyp punëtorët me ushtri

Punëtorët e Albcontrol janë të pakënaqur. I vetmi fakt që nuk po citohet aq sa duhet nga media këto orët e fundit.
Punëtorët e kontrollit të trafikut ajror, të vetmit në Shqipëri që kanë përgjegjësinë mbi jetët e mijëra qytetarëve ulen e nisen nga Rinasi, dhe qindra mijërave të tjerë që udhëtojnë përditë në hapësirën ajrore shqiptare, kanë vendosur të protestojnë për një padrejtësi që u është bërë. Ky është fakti dhe ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Media dhe debati politik është fokusuar te emra të përveçëm, nga opozita dhe figura të saj, te farefisnia e tyre, te presidenti, dhe duket se së shpejti do të eskalojë me akuza kundrejt armiqve lindorë apo hackerave koreano-veriorë. Grusht shteti, marrje peng, komplot kundër vaksinave apo manovrave ushtarake të NATO-s në Shqipëri, qeveria po përpiqet të largojë vëmendjen nga ajo që vërtetë po ndodh, pakënaqësi e punëtorëve në Shqipëri, me të cilën nuk na janë mësuar as sytë e as veshët.
Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, në një shfaqje të shëmtuar force të pushtetit ndaj punëtorëve, me nota të theksuara donkishotizmi, paralajmëroi masa ndëshkuese e pas tyre njoftoi me vetëbesim dhe krenari fodulle se ushtria do marrë në kontroll ambjentet e zëna nga punëtorët.
Ushtria e qytetarëve të Shqipërisë, pushton ambjentet e Albcontrol që është po pronë e shtetit dhe e menaxhuar nga figura të nivelit të Ministres së sotshme, ish-drejtoreshë e djeshme e Albcontrolit.
Punonjësit e Albcontrol kanë zgjedhur një avokat dhe përfaqësues ligjor të tyre, i cili njoftoi se asnjëri prej tyre nuk ka braktisur vendin e punës. Edhe ky është fakt! Po aq i pakundërshtueshëm sa fakti se “komploti i punëtorëve të Albcontrol” apo “grushti i shtetit” nuk do të ndodhte kurrë, nëse struktura menaxhuese e Albcontrolit (shteti) nuk do të merrte vendime absurde të reduktimit të pagës në të tilla momente, kur trafiku ajror i është kthyer disi normalitetit. Vendime të cilat lënë shumë vend për interpretim, duke sjellë në vëmendje dhe ndryshimet e fundit të pronësisë së Aeroportit të vetëm ndërkombëtar në vend.
Fakti më absurd është që qeveria shqiptare, e drejtuar nga një parti e vetë-quajtur e majtë, po shtyp kërkesat e punëtorëve të saj dhe organizimin e tyre me polici dhe ushtri.
Mirë grushti i shtetit nuk duket askund në asnjë horizont, po grushtin ndaj Albcontrol, kush po e realizon?
Fakte, fakte, fakte …
Burimi i fotos: Albcontrol