Që nga 2007 Bashkia e Tiranës ka një borxh dritash prej 2.3mln eurosh
Energjia është çështje sa kohë është hall dhe barrë për qeverinë. Dhe për ta zgjidhur këtë hall, qeveria, kryeministri në vetë të parë, nuk ka nguruar të bëjë moral, të urdhërojë aksione dhe së fundmi, që është edhe më e papranueshme, të heqë njerëz nga puna, vetëm pse nuk kanë paguar detyrimet për energjinë elektrike. Mirëpo kryeministri i vendit, që është Edi Rama, ka krijuar personalisht, pra si drejtues, një praktikë prej borxhliu ndaj OSHEE-së që kur ishte në majat e suksesit politik, apo edhe të modës politike, si kryetar bashkie në vitin e aleancës me LSI-në, pra në vitin 2007. Dhe nuk bëhet fjalë për 12 mijë lekë, as për shifrën që kishin të papaguar 131 policët e burgjeve, por bëhet fjalë për 2. 3 milionë euro. Kjo shifër ka dalë nga sepetet e “informacionit të klasifikuar”, ose “të harruar”, gjatë diskutimit dje të projektbuxhetit të Bashkisë së Tiranës. Kusht për miratimin e tij ka qenë pagesa e faturës në fjalë dhe nënkryetari Enno Bozdo ka shpjeguar sesi na qëndroka kjo punë. “Borxhi ka filluar që në vitin 2007, por borxhi është borxh dhe për këtë qëllim kemi parashikuar në buxhet një shumë prej 300 milonë lekësh, ose 3 milionë dollarë që janë të mjaftueshme që Bashkia të shlyejë detyrimet e veta…”, tha Bozdo(http://www.oranews.tv/vendi/keshilli-ok-buxhetit-te-tiranes-…). Hiç fare, po nja 1. 5 mln euro i bien për periudhën 2007-2011 kur ka qenë kryetar zotëria që sot është kryeministër. Dhe sot që është në krye të qeverisë, vendos pikërisht këtë kusht. Kjo po që është politikë e morlashme: “Ne kemi detyrën, ju keni pushtetin”, ka qejf të miklojë veten kryeministri socialist…Po çfarë ndodh në Shqipëri kur nuk paguan dritat dhe kur je punonjës i administratës? Ose shërbëtor i popullit siç thuhej qëmoti? T’u japim hakën arkivistëve, se janë megjithë mend heronj të heshtur të së vërtetës.
s.z
Marrë nga respublica.al