Putin do të vizitojë Beogradin, akuzon SHBA se po destabilizon Ballkanin

Presidenti rus, pritet të vizitojë Beogradin ditën e nesërme, ku do të pritet nga presidenti Aleksander Vucic dhe drejtues të lartë të vendit. Ditën e sotme, në përgatitje për pritjen e presidentit Putin, shtypi serb ishte i mbushur me deklarata mirëseardhjeje dhe një nga gazetat më të lexuara serbe publikoi një intervistë ekskluzive të presidentit rus. Në intervistë Vladimir Putin akuzon Shtetet e Bashkuara se po destabilizojnë Ballkanin duke “shpallur rolin e tyre dominues” në rajon.
Komentet dhe intervistat e Putin u pasqyruan edhe nga mediat ruse dhe u publikuan gjithashtu dhe në faqen zyrtare të Kremlinit.
Deklaratat e tij nënvizojnë edhe njëherë marrëdhëniet historikisht të ngushta me Serbinë, sikurse edhe kujdesin e Moskës për ndikimin e Perëndimit. Ato bien ndesh gjithashtu me paralajmërimet e lëshuara nga Uashingtoni apo aleatë të tjerë europiano-perëndimorë, lidhur me faktin se Rusia po përpiqet të destabilizojë rajonin me ndërhyrjet në Malin e Zi, Bosnje-Hercegovinë dhe Maqedoni.
“Për sa kohë që situata në Ballkan është shqetësuese, politika e Shteteve të Bashkuara dhe disa kombeve perëndimore, që synojnë të shpallin rolin e tyre dominues, mbetet një faktor serioz destabilizimi këtu”, citohet të ketë thënë Putin. Ai vlerësoi gjithashtu se Mali i Zi “ishte tërhequr zvarrë drejt anëtarësimit në NATO”. “Si pasojë, vendi po kalon tashmë një periudhë destabiliteti politik”, është shprehur më tej shefi i Kremlinit.
Pavarësisht përpjekjeve për grusht shteti në Malin e Zi, i cili nëse nuk do të dështonte do të sillte parti pro-ruse në drejtimin e vendit, parlamenti i vendit fqinj votoi unanimisht në prill të 2017-s për t’iu bashkuar aleancës euroatlantike, duke deklaruar dhe njëherë pozicionimin e vendit krah aleatëve perëndimorë.
Vizita e Putinit në Serbi do të mbikëqyret me shumë vëmendje nga Perëndimi, për të gjetur gjurmë të atyre që konsiderohen si synime të Moskës në ish-Jugosllavi.
Veç Malit të Zi, Moska pretendohet se është përpjekur të ndikojë në opinionin publik në Maqedoni, edhe ky një vend që sapo ka miratuar pjesën e saj të marrëveshjes historike me Greqinë, që do t’i hapte rrugë anëtarësimit në NATO apo edhe në Bashkimin Europian.
Pika më kulmore e vizitës njëditore të Putinit në Serbi pritet të jetë ndalesa e tij në tempullin më të madh të Krishtërimit Ortodoks në Ballkan, Shën Sava në Beograd. Putin dhe homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiç pritet të flasin përpara mijëra njerëzve jashtë Shën Savës, “në një shfaqje simbolike të lidhjeve vëllazërore”, siç thonë organizatorët e ngjarjes. / k.j
Burimi: Top Channel