Protesta e papritur e opozitës, përdorimi i gazit lotsjellës shkakton probleme për qindra qytetarë

Dita e martë u shënua nga një protestë e papritur e opozitës, pas vendimit të Kryetarit të Parlamentit për mbajtjen e punimeve të seancës parlamentare gjatë pasdites të së martës. Vendimi erdhi pas njoftimit të opozitës se e enjtja do të jetë në javët në vazhdim ditë proteste, në përgjigje të punimeve të parlamentit.
Duket se vendimi nuk i gjeti të pamobilizuara forcat e opozitës, e cila arriti në pak orë të mbledhë me mijëra qytetarë në sheshin përpara ndërtesës së parlamentit, ku kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, i shoqëruar nga kryetarja e Lëvizjes socialiste për integrim Kryemadhi dhe ish-deputetët e dorëhequr të opozitës i bën dhe njëherë thirrje qeverisë për tu tërhequr dhe për të pranuar kërkesat e opozitës. Sipas tyre, Parlamenti është jo legjitim dhe i marrë peng nga bota e krimit.
Pavarësisht tensioneve në ambjentet e jashtme, punimet e seancës plenare vazhduan rregullisht dhe me votat e mazhorancës u miratua ngritja e strukturave të institucioneve të reja të drejtësisë, KLP dhe KLGJ.
Pas mbylljes së protestës, Basha u shpreh se opozita nuk do të njohë policinë që ushtroi dhunë ndaj qytetarëve dhe se mosbindja civile do shtrihet nga jugu në veri.
Zëvendëskryeministri Erion Braçe, nga ana tjetër ka folur pas protestës së opozitës duke thënë se deputetët janë kërcënuar sot. Ai theksoi se ky nuk është cenim personal, por cenim i integritetit kushtetues.
“Një ditë e qartë dhune kundër institucioneve. Mos të mendojë kush se integriteti i një deputeti e veçanërisht zonjave që janë kërcënuar sot është cenimi i integritet personal i secilit prej nesh, jo, është cënim i integritetit kushtetues”, tha Braçe.
Përdorimi i gazit lotsjellës
Protesta u shoqërua me përplasje fizike midis protestuesve dhe forcave policore, pasi disa protestues u përpoqën të futen në rrethimin e Parlamentit. Edhe këtë herë forcat policore u përpoqën të shpërndajnë turmën duke hedhur gaz lotsjellës. Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka urdhëruar sulmin me lëndë kimike ndaj fëmijëve, motrave, grave dhe nënave dhe i ka shpallur luftë qytetarëve.
Përdorimi i gazit lotsjellës duket se ka shkaktuar të lënduar të shumtë, jo vetëm në rradhët e qytetarëve protestues, por edhe te kalimtarë të rastit në zonat afër protestës. Të shumta ishin filmimet e qytetarëve në rrjete sociale, ku dukeshin individë të helmuar prej gazit, në zona të tjera të kryeqytetit. Nga hedhja e gazit u prekën dhe gazetarët që po ndiqnin zhvillimet e protestës në terren, si dhe qytetarët që banojnë apo punojnë në ambjentet përreth godinës së Parlamentit.
Përdorimi i gazit lotsjellës duket se është kthyer në një fenomen problematik dhe për policinë në shtetet e tjera Evropiane, pas protestave të fundit dhe mënyrës se si qeveritë përkatëse kanë reaguar ndaj tyre.
Për t’ju përgjigjur problematikës së krijuar, në datën 14 shkurt Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë, e cila dënon përdorimin e tepërt të forcës nga ana e policisë ndaj protestuesve, veçanërisht përdorimin e gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës./k.j