Protesta e arrestime nga veriu në jug për çmimet e larta
Mijëra persona protestuan të enjten pasdite në Tiranë kundër rritjes së çmimeve në ditën e dytë të këtyre protestave.
Protesta e cila zgjati më shumë se 3 orë përfundoi me bllokimin e disa rrugëve nga ana e qytetarëve.
Në fund të protestës policia ndërhyri dhunshëm duke shpërndarë protestën dhe duke arrestuar dhjetëra qytetarë.
Protesta u shënuan edhe në pothuajse të gjitha qytetet e vendi.
Qytetarët bllokuan rrugët në Durrës, Dibër; Shkodër, Librazhd, Sarandë, Tepelenë, Bilisht, Lushnje, Vlorë e Kukës duke kundërshtuar kështu rritjen e paprecedentë të çmimeve që kanë kapur nivelet historike.
Teksa policia ndërhyri dhunshëm në Tiranë e Shkodër, ajo lëshoi disa deklarata ku paralajmëronte protestuesit që të tërhiqeshin ose “do të përballeshin me ligjin”.
“Tu vijë turp që na thoni të paligjshëm. Rrogën ua japin ne jo Rama. Deri sot të gjithë keni fjetur gjumë, ju ka shtypur qeveria gjithmonë. U bëni presion civilëve, tu vijë turp! Ne do ikim por do protestojë për veten dhe jo për ju, jeni kthyer në skllevër të Edi Ramës. Tu vijë turp”.-tha një aktivist në shesh teksa iu drejtua efektivëve të policisë të cilët ishin të shumtë në numër.
Kundër arrestimeve të dhunshme u shprehën aktivistët: Gjyljana, juristia e Drejtësi Sociale është një nga protestueset e shoqëruara nga efektivet e policisë së shtetit. Doli për të protestuar për të gjithë ato familje të varfëra nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, të cilët e kanë të pamundur ekonomikisht të vijnë në Tiranë për të protestuar.”- shkroi grupi Drejtësi Sociale në facebook.
Policia nuk kurseu as gazetarët.
Pas 1 orë proteste në rrugën e Arbrit mes 2 lagjeve të Bulqizës dhe në Qafën e Buallit, dhjetëra qytetarë janë shpërndarë paqësisht.
Por policia e Bulqizës ka shoqëruar në komisariat gazetarin Sami Curri për shkak se kishte shpërndarë në rrjete sociale ftesën për protestën e së enjtes.
Në protestën kundër rritjes së çmimeve të naftës kanë qenë edhe persona me aftësi të kufizuar.
Një prej tyre është shprehur se përveç rritjes së naftës dhe produkteve ushqimore, janë rritur dhe medikamentet, çmime të cilat për ta janë bërë të papërballueshme.
Aii ka bërë thirrje Kryeministrit që t’u shërbejë pasi nuk po përballojnë dot jetesën.
“Unë jam këtu në emër të një kategorie më të diskriminuar. Ne përpos naftës dhe ushqimeve që po ngrihen në mënyrë katastrofike, ne na prek edhe diçka tjetër, që janë medikamente. I them Kryeministrit që e kemi zgjedhur në atë karrige të na shërbejë dhe jo të na shtyp. Mos na hidh dhe sipër” tha një përfaqësues i PAK.
Qytetarët kanë paralajmëruar protesta të përditshme për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe produkteve të tjera.
Teksa qytetarët po proteatonin nga veriu në jug, i sapokthyer nga Dubai kryeministri Edi Rama në një monolog të gjatë në rrjetet sociale nuk tha asgjë domethënëse ndërsa përmendi disa herë fjalën “luftë” dhe dha lajmin se do të kemi reduktime të enegjisë dhe shkurtime të mëdha në administratë!/ HistoriaIme