Problemi me avionët Boeing, Shqipëria ndalon fluturimet e tyre
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/03/47847588_303-1.jpg)
Pas tragjedisë ajrore në Kenia ditën e dielë, një numër i madh vendesh po ndalojnë fluturimet e avionëve Boeing 737-8/9 MAX. Listës së këtyrw shtetevw u është bashkuar dhe Shqipëria.
Autoriteti i Aviacionit Civil njoftoi ditën e sotme se do të zbatojë direktivat e Agjencisë Evropiane të Sigurisë dhe Aviacionit (EASA), duke ndaluar fluturimin e avionëve Boing 737-8 dhe 737-9 Max, në hapësirën ajrore shqiptare.
“Vendimi i EASAs vjen pas aksidentit fatal të avionit tip Boeing 737 Max 8 të shoqërisë ajrore ‘Ethiopian Airlines’.
AAC informon qytetarët se në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” nuk ka në operim asnjë avion të tillë, në asnjë nga linjat e programuara të fluturimeve. Për t’ju bashkuar nismës së EASA për këtë rast, AAC ka formalizuar lëshimin e një lajmërimi për operatorët nga ana e Albcontrol, i cili ndalon operimin e avionëve të këtij lloji në hapësirën ajrore shqiptare dhe Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, për një kohë të pacaktuar.”
Të dielën e shkuar një avion i Ethiopian Airlines u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e 157 pasagjerëve në bordin e tij. Ndërkohe që hetimet janë në vijim, dyshohet se shkaktar i tragjedisë mund të jetë dhe linja e avionëve, pasi një model i ngjashëm përfundoi në tragjedi në tetor të vitit të shkuar që solli si pasojë vdekjen e 189 pasagjerëve.
Një vendim i tillë është njoftuar dhe nga autoritetet e Kosovës me qëllim sigurimin e udhëtarëve që fluturojnë nga aeroportet tona ndërkombëtare.
Ndërkohë kjo linjë e avionëve Boeing është prezantuar vitet e fundit dhe janë me qindra linjat ajrore që zotërojnë avionë të tipit MAX. Pavarësisht deklaratave të Boeing për sigurinë e avionëve 737-8 dhe 737-9, sërish priten rezultatet e hetimit mbi rastin e Ethiopian Airlines dhe shkakun e aksidentit të rëndë ajror. /k.j