Prishtina Pride/ Edhe n’shtet, edhe n’familje

Në Kosovë për të gjashtin vit me radhë do të mbahet java e krenarisë.
Nëpërmjet sloganit “Edhe n’shtet, edhe n’familje”, organizatorët thonë se; pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTQI+ si në shtet, ashtu edhe në familje.
“Në një vend ku shoqëria dhe familja në thelb janë heteronormative dhe patriarkale, është detyrë e shtetit që të krijoj siguri për personat të cilët nuk ndihen të sigurt nga mendësia shtypëse e cila prodhohet nga këto dy institucione. Partitë politike, qeveria dhe presidenca në anën tjetër nuk i kanë prioritet të drejtat LGBTIQ+, përkundrazi personat queer përdoren nga ta për të arritur në pushtet. Në njërën anë tregohen progresiv në tryeza të mbyllura me ndërkombëtarë e shoqëri civile, në anën tjetër tentojnë t’i largohen sa më shumë temave të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në fushata e komunikim me votuesit.”-thuhet në njoftimin e organizatorëve.
Jo vetëm festë, këtë vit Parada e Krenarisë – duhet të konsiderohet si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTQI+.
“Do ta festojmë pranimin e vetes e do t’i fuqizojmë të tjerët të cilët janë ende në proces të pranimit të vetes. Do të festojmë për rezistencën që e kemi në baza ditore pa përkrahje të shtetit dhe familjes, do të jemi zëri për të gjithë që nuk kanë siguri dhe jetojnë në dhunë emocionale, mendore dhe fizike. Do të festojmë për familjet që na kanë pranu dhe ato që i kemi zgjedh, do të protestojmë kundër familjeve që shtypin fëmijët e tyre. Do të festojmë për dashninë që e kemi, do të protestojmë për njohjen ligjore të kësaj dashnie.”-thuhet në njoftim.
Për të gjashtin vit, sipas organizatave për të drejtat e njeriut atje “Bashkë do të festojmë që ekzistojmë dhe i japim botës ngjyra, bashkë do të vazhdojmë të ecim drejt një bote ku jemi të barabartë.”
Ndryshe nga Shqipëria, në Kosovë politikanë të lartë e drejtues institucionesh do të jenë prezente me fjalime e ligjërime në Javën e Krenarisë.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, së bashku me Ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu do të jenë ndër folëset atje në hapjen e javës së Krenrisë me 6 qershor.
Organizatorët thonë se për shkak të sigurisë Pas përfundimit të Paradës së Krenarisë dhe koncertit, të gjithë pjesëmarrësit/-et udhëzohen të largohen nga zona përkatëse. Udhëzohen të gjithë që t’i largojnë materialet që simbolizojnë personat LGBTQI+ dhe Paradën e Krenarisë (flamujt, banerët dhe materialet e tjera promovuese).