Prishtina, mes komandantëve, politikës dhe simboleve kombëtare!

Prishtine, Kosovë/ Isa Myzyraj
“Të gjitha vrasjet e pasluftës duhet të hetohen, e të vihet drejtësi për to. Për çdo akuzë për krime lufte nuk mund të hetohet asnjë shqiptar, sepse nuk kemi luftuar në Serbi, por në tokën tonë”-shprehet Shabani, rreth të 60 vjeç, në një kafe në Bulevardin kryesor të Prishtinës, ndërsa përballë tij shfaqej një fotografi gjigande e Kadri Veselit.

Veseli, bashkë me disa luftëtarë të tjerë përfshirë Ish-presidentin, ish-kryeministrin Hashim Thaçi, ish-deputetin Rexhep Selimi, ish-kreun e Kuvendit Jakup Krasniqin e të tjerë ndodhen në Paraburgim në Hagë, pasi Prokuoria Speciale ka ngritur akt-akuzë ndaj tyre, e cila është konfirmuar nga Gjykata Speciale.
“krime lufte” “krime kundër njerëzimit” “torturë e burgosje“ janë vetëm disa nga akuzat që rëndojnë ndaj ish-komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, personave që kanë dominuar jetën politike për 20 vite në Republikën e Kosovës.
“Unë jam krenar për ta për të gjithë ditët që kanë mbajtur veshur uniformën e UÇK-së, por më vjen turp për çdo të keqe që i kanë bërë Kosovës pas 2008”-shprehet Selimi, 24-vjeç, në po të njëjtin bulevard ku pas pemëve të gjelbëruara qëndron një portret i madh i Hashim Thaçit, në të njëjtën godinë ku është fotografija e bashkëpunëtorit të tij, Kadri Veseli.

Në Prishtinë, grafitet e rrugës dhe mesazhet politike janë të zakonta, në sheshe e në muret e rrugicave të ngushta pa trotuare e pa korsi biçikletash.
Teksa qëndroja përballë një muri në sheshin “Skënderbej” në qendër të kryeqytetit, bie në sy një portret dhe një shkrim, me një pikëpyetje të madhe, ndoshta ndër më të mëdhatë që pas luftës në 1999!
“KU ËSHTË UKSHIN HOTI?”

Historia e Ukshin Hotit është një ndër më tragjiket, misteriozet, por edhe që të bën krenar, “ nga krenaria dhe dhimbja na lind forca”-thotë Selimi.
Më 16 maj 1999, pas lirimit të tij nga burgu i Dubravës, nga polica serbe Ukshin Hoti, politikani, profesori, filozofi, hulumtuesi shkencor, atdhetari dhe veprimtari i shquar i çështjes kombëtare shqiptare në Kosovë gjatë viteve ’80 dhe ’90, u zhduk pa lënë gjurmë, dhe që nga kjo datë nuk dihet më asgjë për të.
Në një tjetër rrugë të shfaqet burgu i Prishtinës, ku forcat serbe mbajtën të burgosurit politik. Në një korridor të ngushtë, të harkur si pa kuptim, ndodhej edhe një çeli me foton e Ukshin Hotit, dhe në të shkruhej se ai ishte mbajtur aty nga serbët.

Për Hashim Thaçin e Kadri Veselin shqiptarët e Kosovës ndihen krenar, ndoshta janë personat që jetojnë akoma, që bëjnë më shumë krenar popullin e tyre. Por po e vazhdove bisedën për 20 vitet e fundit të pasluftës, ata janë personat, ndoshta më të urryer në Kosovë.
Është e çuditshme se si për dy ish-komandantë, në dy kohë të ndryshme njerëzit kanë qëndrime kaq diametralisht të kundërta, dhe ekstreme.

Zakonisht për të shkuarën flitet vetëm në histori, ose ndërtohen muze e bëhen filma, por në Prishtinë ajo të shoqëron në cdo mjedis e ambient.
Ngjitur me godinën e Kuvendit, ndodhej edhe një memorial që tregon qartë se e e shkuara nuk është fort e largët. Është pikërisht memoriali i personave të zhdukur gjatë lufës.
Janë 1,643 persona fati i të cilëve nuk dihet ende, asgjë për ta nuk dihet, nuk kanë asnjë varr, e asnje shenjë tjetër veç kujtimeve të familjarëve të tyre.

“Liria Ka emër” ishte një ndër shkrimet e mëdha, që shihej qartë në sheshin “Nënë Tereza”
Ky bashkim fjalësh kaq i bukur, në Prishtinë është bërë sa i dashur aq edhe përçarës. Shoku im e quante politikë, përdorim politik të këtij slogani nga PDK partia Demokratike e Kosovës, ish-partia e Kadri Veselit e Hashim Thaçit.
Gjithashtu në Prishtinë mund të gjesh lehtësisht simbole kombëtare, me shqiponjë, me flamurin e Shqipërisë, maska anti-covid me simbolin e UÇK e plotë aksesorë të tjerë të së shkuarës e të tashmes që duket sikur nuk dihet kur mbaron njëra, e kur nis tjetra.

Në një tjetër shesh ku gjendet edhe simboli i pavarësisë, shfaqet madhërishëm Gjenerali më i lavdishëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fotografia e Adem Jasharit, ndodhet në kompleksin me të njëjtin emër, një kompleks që nuk e kuptova as për çfarë shërben, e as pse është lënë në gjendje skandaloze deri në trishtuese.

Gjithsesi, në muajt e fundit në Kosovë kanë ndodhur shumë gjëra, teksa Gjykata Speciale mbylli në paraburgim Komandantët, të tjerë të rinj erdhën në pushtet. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka qenë një ndër rivalët më të mëdhej të Hashim Thaçit dikur kryeministër e President; teksa Thaçi propagandonte krijimin ugjent të Gjykatës Speciale, Albin Kurti e Kundërshtonte fort atë projekt. Sot kohët kanë ndryshuar, Albin Kurti është Kryeministër, e Thaçi është arrestuar nga Gjykata që me aq padurim e krijoj vetë!
