Biznesmeni i njohur, i quajtur shpesh si oligarku më i madh në vendin tonë, Samir Mane, përmes kompanisë së tij të kromit, AlbChrome, ka hedhur në gjyq aktivistin e Organizatës Politike, Jani Marka.
AlbChrome, kërkon nga Marka, 1.000.000 lekë të reja, 10 milionë lekë të vjetëra, për atë që ata e kanë quajtur “prishje imazhi”.
Organizata Politike, prej kohësh tanimë denoncon cdo aksident qe u ndodh punëtorëve në vendin tonë, kryesisht në sektorin e minierave.
Aktivistët e OP-së, në reagime në rrjetet sociale shkruajnë se: kryeoligarku Samir Mane, po kërkon para, nga ta, përmes sistemit të drejtësisë.
Reagimi i aktivistëve të OP-së:
KRYEOLIGARKU SAMIR MANE KËRKON LEKË
Nëpërmjet shërbëtorëve të tij në kompaninë Albchrome, Samir Manja, oligarku më i pushtetshëm dhe famëkeq në Shqipëri, ka paditur aktivistin e Organizatës Politike Jani Marka, duke i kërkuar 1,000,000 lekë (të reja) dëmshpërblim për “prishje reputacioni”. Pretekst i kësaj padie është bërë një postim në Facebook nga aktivisti Marka, ku vihet në dukje se prej vitit 2013 në Shqipëri kanë humbur jetën 43 minatorë, përgjegjës për të cilët është edhe Samir Manja dhe kompania e tij Albchrome.
Pa kulturën dhe zotësinë minimale juridike, por të sigurt se kanë në xhep të gjitha instrumentet e shtetit, Samir Manja dhe lakenjtë e tij po tentojnë ta zhbëjnë përfundimisht të drejtën e fjalës dhe të kritikës në Shqipëri. Samir Manja e di se ne, aktivistët e Organizatës Politike, nuk tutemi as nga torturat e rojeve të tij private, as nga kërcënimet e bashibozukëve që i vijnë nga pas, as nga burgosjet e padrejta, as nga persekutimi i aktivistëve nga prokuroria, as nga bllokada mediatike e diktuar prej tij. I dëshpëruar dhe makut për çdo lek të mundshëm, ai ka zgjedhur t’i shtojë pasurisë së tij përrallore rrogën modeste të mbi një viti të pedagogut Jani Marka.
Kujtojmë se thelbi i konfliktit të kryeoligarkut Mane me Organizatën Politike është mbështetja që aktivistët e kësaj të fundit u kanë dhënë dhe po u japin minatorëve të Bulqizës, të shfrytëzuar e nëpërkëmbur pa cak e grimcë njerëzillëku nga kompania e tij. Samir Manja ka pushuar nga puna 4 sindikalistë vetëm pse guxuan të organizoheshin, sipas ligjit, në një sindikatë të re e të pavarur. Më tej, Samir Manja është sot njeriu më i pasur dhe i pushtetshëm në Shqipëri. Përpara tij rrinë gatitu qeveria dhe partitë e opozitës dhe janë në ortakëri pronarët e thuajse të gjitha mediave. Kritika ndaj tij në mediat e sotme shqiptare mund të haset vetëm një grimë më shumë se ç’ndodhte me Enver Hoxhën gjatë diktaturës së shkuar.
Po pushteti i Samir Manes dhe sivëllezërve të tij oligarkë as është i përjetshëm, as do të zgjasë shumë. Oligarkët i frikësohen mllefit popullor dhe, në radhë të parë, punëtorëve – atyre që kanë forcën potenciale për t’i zbythur një herë e përgjithmonë.
Ne, aktivistët e Organizatës Politike, krenohemi si të vetmit që e kemi kryefjalë kauzën punëtore dhe po u kundërvihemi me të gjitha forcat oligarkëve./ HistoriaIme