Prej disa ditësh tashmë, studentët e Universitetit Bujqësor të Kamzës po përpiqen të ndalojnë planet e Bashkisë Tiranë për prishjen e fidanishtes në oborrin e Universitetit dhe kthimin e saj në një shkollë të integruar.
Sipas prononcimeve të Bashkisë Tiranë, toka ku gjendet fidanishtja është shpronësuar dhe pritet të kthehet përmes partneritetit publik-privat (PPP) në një shkollë të integruar për komunitetin që jeton në Kodër-Kamzë.
Projekti që në fillimet e tij ka hasur kundërshti të fortë në radhët e Universitetit, si nga ana e studentëve dhe nga pedagogët, të cilët prej një jave po protestojnë duke bojkotuar mësimin dhe duke paralajmëruar përshkallëzim të mëtejshëm.
Ditën e sotme, studentët kanë tentuar të çajnë rrethimin e fidanishtes duke u përplasur dhe me forcat e policisë.
Fidanishtja është një pjesë integrale e praktikës universitare për studentët e degës së Hortikulturës dhe për këtë arsye, vendimi për bojkotimin e procesit mësimor është mbështetur dhe nga Asambleja e Pedagogëve të Universitetit. /k.j