Presidentja Osmani çel Javën e Krenarisë në Prishtinë

“Edhe N’Shtet, Edhe N’Familje”, slogani i këtij viti kërkon të sjellë në vëmendje ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+ edhe në shtet edhe në familje. Organizatorët thonë se politikanët janë progresivë vetëm në tryeza me ndërkombëtarët
Java e Krenarisë në Prishtinë u hap dje zyrtarisht nën patronazhin e Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Kundër Diskriminimit pranë qeverisë së Kosovës. Në këtë event të organizuar posaçërisht për të çelur javën e aktiviteteve mori pjesë edhe Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani e cila mbajti një fjalë rasti për të treguar solidaritet dhe përkrahje për personat LGBTIQ+ në Kosovë. Aktivitetin e përshëndeti edhe ministrja e Drejtësisë.
Organizatorët e Javës së Krenarisë parashikojnë mbajtjen e një sërë aktiviteteve si një koncert, performanca drag, diskutime për gratë trans, për shëndetin mendor, për njohjen ligjore të personave LGBTIQ+, një pasdite poetike, një ekspozitë dhe aksione në rrugë për të kulmuar me paradën e krenarisë që këtë vit, përveç festimit, do të konsiderohet si rezistencë paqësore për të adresuar çështje të situatës aktuale të personave LGBTIQ+, thonë organizatorët.
Në edicionin e saj të 6-shtë (gjashtë), Java e Krenarisë, nëpërmjet sloganit “EDHE N’SHTET, EDHE N’FAMILJE” pasqyron praninë dhe ekzistencën e mohuar të personave LGBTIQ+ si në shtet, ashtu edhe në familje, thuhet në faqen zyrtare të Pristina Pride në Facebook.
Organizatorët shprehen se “në një vend ku shoqëria dhe familja në thelb janë heteronormative dhe patriarkale, është detyrë e shtetit që të krijoj siguri për personat të cilët nuk ndihen të sigurt nga mendësia shtypëse e cila prodhohet nga këto dy institucione.”
Ato thonë më tej se, “partitë politike, qeveria dhe presidenca në anën tjetër nuk i kanë prioritet të drejtat LGBTIQ+, përkundrazi personat queer përdoren nga ta për të arritur në pushtet. Në njërën anë tregohen progresiv në tryeza të mbyllura me ndërkombëtarë e shoqëri civile, në anën tjetër tentojnë t’i largohen sa më shumë temave të orientimit seksual dhe identitetit gjinor në fushata e komunikim me votuesit.”