Presidenti Trump kritikon përpjekjet për shkarkimin e tij, disa shtete padi kolektive ndaj administratës

Presidenti amerikan Donald Trump sugjeroi të hënën se zyrtarë kryesorë të zbatimit të ligjit kanë kryer “tradhëti”, kur në vitin 2017 kanë shqyrtuar mundësinë e përdorimit të një amendamenti kushtetues për ta larguar atë nga detyra, ndërsa do të hapnin një hetim kundër tij për pengim të drejtësisë.
Trump kritikoi ish-drejtorin në detyrë të Byrosë Federale të Hetimeve Andrew McCabe. Ky i fundit të dielën gjatë emisionit televiziv “60 minuta” që transmetohet në CBS tha se ai dhe zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Rod Rosenstein kishin diskutuar rreth përdorimit të amendamentin të 25-të Kushtetutës që i jep mundësinë nënpresidentit dhe një shumice prej 15 anëtarësh të kabinetit, të shpallin një president të paaftë për të trajtuar detyrat presidenciale.
Ndërkohë pas shpalljes së gjendjes së emergjencës kombëtare në kufirin amerikan me Meksikën, disa shtete amerikane me në krye Kaliforninë, kanë ngritur një padi ligjore kolektive kundër administratës. Deri tashmë padia është nënshkruar nga 16 shtete federale dhe është dorëzuar në një gjykatë federale të Kalifornisë.
Koalicioni i 16 shteteve argumenton se urdhri i Presidentit për të devijuar fondet do t’i kushtoje atyre miliona dollarë, duke i dëmtuar ekonomitë.
Presidenti Trump shpalli të premten gjendjen e emergjencës kombëtare për të anashkaluar Kongresin, që ka refuzuar kërkesën e tij për 5.7 miliardë dollarë për ndërtimin e një muri në kufi edhe pas miratimit të një shume prej rreth 1.4 miliardë dollarësh për ndërtimin e një pengese përgjatë 90 kilometrave të kufirit prej 3,200 kilometrash. Trump planifikon të sigurojë më shumë se 8 miliardë dollarë fonde të parashikuara për projekte të tjera, për të ndërtuar murin./k.j
Burimi: Zeri i Amerikes