Politikanët në paradën e krenarisë/ Pse është e rëndësishme?

“Kjo është një gjë që nuk i takon një partie, sigurisht i takon shoqërisë, u takon forcave politike. Kjo i takon një debati më të gjerë. Ne nuk mund të jemi modernë… për të qenë modernë pa lidhje. Ne duhet të jemi racionalë, europianë, …duhet të ndjekim me shumë mençuri dhe urtësi rrugën e duhur, pa bërë kapërcime që stonojnë. Mua gjithmonë më kanë akuzuar për ekstravagant dhe modernist, gjë që për mua nuk është akuzë, por krenari”, -kjo është deklarata e Edi Ramës në vitin 2013, kur pyetej nga gazetarja Ilva Tare nëse: “Do të legalizoni martesat gej ose jo”.
Ky është qëndrimi i fundit i Edi Ramës, publik në lidhje me çështjen LGBTQ+.
Pas kësaj deklarate nuk dihet nëse kryeministri ka ndryshuar qëndrim, dhe nuk dihet nëse mendon njëjtë edhe sot ose jo!
Por ndryshe nga Rama, homologët e tij ballkanikë, “janë modernizuar” siç pëlqen Rama t’i quajë të drejtat LGBTQ+.
Së fundmi kryeministri Albin Kurti, jo vetëm që doli në paradën e krenarisë në Prishtinë por mbajti disa qëndrime të guximshme në publik në lidhje me këtë temë.
“Pjesëmarrësit e “Paradës së Krenarisë” sot bënë thirrje publike për barazi dhe liri. Janë të papranueshme kërcënimet, abuzimet dhe diskriminimet që i përjetojnë pjesëtarët e komunitetit LGBTQIA+. Shoqëria dhe shteti duhet t’i mbrojnë dhe duhet të mësojnë për ta. Të gjithë së bashku duhet të besojmë në të drejtat e njeriut, në dinjitetin dhe integritetin e çdokujt. Njerëzit duhet t’i pranojmë, respektojmë dhe duam ashtu qysh janë.”-shkroi Kurti në një postim në rrjetet sociale.
Në lidhje me qëndrimet e Kurtit, ka reaguar edhe aktivisti Kristi Pinderi.
Në rrjetet sociale ai bën një paralelizëm me daljen e politikanëve në parada në shtetet e zhvilluara dhe të emancipuara perëndimore, dhe daljen e politikanëve ballkanik në parada, siç është Shqipëria dhe Kosova.
Pinderi shkruan:
Ne perendim, pjesemarrja e politikaneve ne parada nuk ka kuptimin dhe vleren qe ajo ka ne Shqiperi apo Kosove. Aty, pra ne Shqiperi apo Kosove, pjesemarrja ne parada e kryeministrit e rrit ndjenjen e sigurise te komuniteti, lufton stereotipet, e lufton kriminalizimin dhe izolimin social te komunitetit, krijon balancen e nevojshme te besimit te institucionet, e madje afirmon drejtesine e betejes per te drejtat e njeriut. Per pasoje, pjesemarrja dhe mbeshtetja frymezuese e Albinit per komunitetin LGBTQ+ atje eshte e vonuar por e mirepritur. Ajo do te qendroje ne syte e komunitetit dhe ne faqet e librave te historise si nje kontrast qe te deshperon, kur perballe i vendos qendrimin e kryeministrit Edi Rama. Ne 2013, ne nje takim te shkurter qe patem me Xhenin ne zyren e Rames – i pari dhe i fundit, dhe i dyti pas takimit me Berishen – mbaj mend vetem dy gjera qe ai tha, te dyja tregojne shume per natyren groteske dhe megallomanine te tij. “Ca eshte kjo gjeja me bicikleta qe beni ju?! Pse ashtu behen paradat?! Kur te vij une do bejme gjera te medha!!” Dhe e dyta: “Kur kam folur une per ju, ju as e dinit se cfare jeni”!/ HistoriaIme