Policia e Shtetit është institucioni primar, i cili mban peshën kryesore të mbrojtjes së personave LGBTI+ në situatë rreziku.
Rastet e dhunës dhe diskriminimit vijojnë të mbeten të nën-raportuara në strukturat e Policisë, por prej vitesh tashmë bashkëpunimi midis Policisë, organizatave që mbrojnë komunitetin LGBTI+ dhe aktivistëve po vjen duke u zgjeruar.
Për policimin e krimeve të urrejtjes, ndjekien e duhur proceduriale dhe ngritjen e kapaciteteve të policisë dhe efektivëve të saj mbi ndjekjen ligjore të këtyre rasteve, Komiteti Holandez i Helsinkit, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Akademinë e Sigurisë, kanë publikuar së fundmi një broshurë informative me njohuri praktike për punën e efektivëve të policisë, me qëllim për të siguruar një qasje sa më pranuese kundrejt komunitetit LGBTI+ dhe për të ofruar mbështetjen e duhur për personat në këto situata.
Projekti në një nga komponentët e tij më të rëndësishëm, synon të krijojë vetëdije në strukturat e Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë dhe të inkurajojë veprimin në çështje të tilla si diversiteti i brendshëm, çështjet e të drejtave të njeriut dhe përfshirja, barazia dhe respektimi për grupet e prekshme nga diskriminimi dhe krimi i urrejtjes.
Pjesë e takimeve me struktura të Policisë u bënë dhe përfaqësues nga organizatat Aleanca LGBTI dhe Pro-LGBT.
Takimet u zhvilluan në Akademinë e Sigurisë me studentë dhe profesorë të akademisë, në Komisariatin numër 1 në Tiranë dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Manuali është i aksesueshëm online për të gjithë efektivët dhe specialistët e interesuar për të marrë më tepër informacion për policimin e krimeve të urrejtjes.
“Në përputhje me ndërgjegjësimin për Ditën Ndërkombëtare të Vizibilitetit së Transgjinorëve, broshura përfshin gjithashtu një fokus të veçantë në mbështetjen e komunitetit transgjinor, të cilët janë më shpesh viktima të krimeve të urrejtjes dhe vazhdojnë të përjetojnë diskriminim, madje edhe nga oficerët e policisë. Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme që policia ta njohë këtë fenomen, në mënyrë që të jetë në gjendje të ofrojë siguri dhe qasje në drejtësi në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe jo-diskriminuese. Bashkëpunimi konkret midis policisë dhe organizatave të shoqërisë civile inkurajohet gjithashtu në broshurë.”, shkruhet në komunikimin për media të Komitetit Holandez të Helsinkit.