Kriza politike në Shqipëri duket të jetë përshkallëzuar dhe më tej pas njoftimit të kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, se deputetët e kësaj force politike kanë vendosur të dorëzojnë mandatet parlamentare.
Ky vendim pasoi zhvillimet e protestës së datës 16 shkurt, ku dhjetëra protestues dhe efektivë policie mbetën të plagosur nga përplasjet fizike dhe dhjetëra qytetarë protestues u proceduan nga policia për prishjen e rendit publik. Menjëherë pas mbylljes së protestës, kreu i opozitës njoftoi mbledhjen e grupit parlamentar, të cilit do t’i propozonte djegien e mandateve parlamentare.
Ditën e sotme, pas mbledhjes, grupi parlamentar doli me një vendim unanim për fillimin e procedurave për djegien e mandateve parlamentare, vendim që u mbështet dhe nga partia Lëvizja Socialiste për Integrim dhe aleatët e vegjël të opozitës.
Gjatë mbledhjes së grupit, u morën tre vendime:
- Unanimisht votohet pro djegies së mandateve, pavarësisht diskutimeve në parim.
- Të mandatohet kryetari Basha të mbledhë këshillin kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar
- Të ngrihet një grup pune për teknikalitetet me njerëz që njohin ligjin dhe zgjedhjet.
“Për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, eliminimit të gjykatës Kushtetuese, kapjes totale të sistemit të drejtësisë, paralizës së shtetit, shtypjes sistematike dhe dhunimit të të drejtave themelore të njeriut dhe lirive të shqiptarëve, duke përfshirë dhe të drejtën e jetës, shëndetit dhe pronës që kanë shkaktuar një situatë të pa precedentë të krizës ekonomike, të migracionit masiv kombëtar dhe gjendjes katastrofale të mjerimit social… grupi vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD-së në Kuvendin e dalë me votat e krimit e mafies në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017” tha Basha në konferencë për mediat pas mbledhjes së grupit.
Vendimi i paprecedentë dhe mbi të cilin ende nuk dihet procedura që do të ndiqet, u konsiderua nga Kryeministri si një blof dhe si krizë e opozitës. Në një mbledhje të kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar, kryeministri Edi Rama përjashtoi mundësinë e thirrjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe krijimit të një qeverie teknike, si alternativë zgjidhjeje e ofruar nga opozita. Reagim pati dhe nga zëvëndës Kryeministri Erion Brace i cili në një postim në Twitter, deklaroi se vendimi i opozitës vjen për pasojë e frikës së tyre ndaj reformës në drejtësi.
“Pse digjen tani? Sepse nuk i bëjnë më dot asgjë Reformës në Drejtësi; As SPAK e as BKH, as Gjykatës Kushtetuese, as Gjykatës së Lartë, të gjitha në punë shumë shpejt! Mekanizmi kushtetues cmonton Bllokimin nga Kuvendi. Të parëndesishëm shumë shpejt!” – shkruan Brace në postimin e tij.
Përsa i përket djegies së mandateve, konstitucionalistë dhe njohës të ligjit shprehin këndvështrime të ndryshme mbi mënyrën se si ky proces mund të paraqitet dhe nëse mund t’i ofrohet zgjidhje ligjore apo jo. Por ende mbetet për tu parë se si do të procedohet me këtë vendim dhe se cili do të jetë reagimi i institucioneve./k.j