Përsëri protestë për çmimet e larta!

Dhjetëra qytetarë kanë protestuar këtë të hënë, 18 tetor, në Tiranë, kundër rritjes së çmimeve në vend.
Kjo është protesta e tretë e këtij lloji ndërsa organizimi ka ndodhur vazhdimisht në rrjetet sociale.
Protesta vjen si pasojë e rritjes së çmimeve në vend, dhe pasi qeveria me një VKM ka shpallur emergjencën energjitike duke paralajmëruar jo vetëm rriten e çmimit të energjisë por edhe të produkteve të tjera që prekin drejtpërdrejtë qytetarët.
Protestuesit kanë hedhur akuza të vazhdueshme ndaj qeverisë, për krijimin e një krize artificiale dhe joreale.
Kriza ka ndikuar që tek çmimi i bukës dhe produkteve të tjera të shportës, një ndikim drastik tek familjet shqiptare që kanë të ardhurat ndër më të pakëta për frymë në rajon.
Gjithashtu çmimet janë rritur edhe tek karburantet që Shqipëria i kishte më të shtrenjtat në Ballkan edhe para krizës.
Numri i qytetarëve që morën pjesë në protestë ishte i lartë ndërsa u vu re një prezencë e të gjitha kategorive; familjarë, pensionistë dhe fëmijë të cilët protestonin për uljen e çmimeve të ushqimeve bazë.
“Shumë keq, është e papërballueshme. Kërkojmë uljen e çmimeve, kryeministri të shikojë të varfrit, të shikojë popullin. Mos i ngrejë çmimet duke u nisur nga xhepat e tij, por të shikojë xhepat tanë që janë bosh,” tha një qytetare.
Qytetarët shprehen se rritja e çmimeve ka ndikuar në ekonominë e tyre dhe si zgjidhje të vetme për momentin shohin uljen e konsumit. /HistoriaIme