28 shqiptarë u mbytën në ujrat e detit Jon natën e 9 janarit 2004. Këta banorë, kryesisht të qarkut Shkodër, ishin të moshës nga 15 deri në 33 vjeç, që ishin nisur me gomone për të ikur drejt brigjeve italiane, për një jetë më të mirë, për një të ardhmne më të ndritur, por që fatkeqësisht nuk ja dolën.
U dhanë 1 mijë e 500 euro skafistëve me shpresën se bregu tjetër do t’u rregullonte jetën, por shumica e tyre nuk e dinin se po paguanin vdekjen.
Dallgët, rreth pesë metra të larta, paralajmëruan se nuk ishte koha e duhur për të udhëtuar, por për trafikantët kjo ishte mundësia e artë për t’i shpëtuar mbikqyrjes së dy policive, asaj shqiptare dhe asaj italiane.
Gomonia 12 metra e gjatë që u nis nga Vlora i dorëzohet stuhisë detare.
18 burra, tre gra u gjetën të vdekura në mëngjesin e të nesërmes nga një helicopter i forcave të NATO-s.
7 prej tyre sot e asaj dite janë zhdukur, dhe trupat e tyre nuk u gjetën kurrë.
Njëmbëdhjetë të tjerët mundën të shpëtonin, mes tyre edhe skafistët.
Tragjedia nuk është zbardhur plotësisht, edhe sot e asaj dite.
Vetëm pas 13 vitesh u arrit ekstradimi për në Shqipëri i njërit prej skafistëve, Elton Tafilit, i dënuar me 25 vite burg nga gjykata e Vlorës për trafik të qënieve njerëzore me qëllim emigracionin klandestin.
Sot, pas 17 vitesh trafiku i klandestinëve vijon.
Shqiptarët tanimë kanë zgjedhur rrugët ajrore, disa kamionë, e disa në këmbë për të ikur nga Shqipëria.
Rrugët detare tanimë po i përdorin emigrantët e vendeve të lindjes së mesme.
Si për ironi, mensatën e 8-9 janarit, një gomone me 55 emigrantë në bord u shpëtua nga roja bregdetare shqiptare dhe italiane afër grykëderdhjes së lumit Vjosa.
Emigrantët kanë dëshmuar, se gomonia u prish nga dallgët dhe si pasojë një pjesë e tyre kryesisht nga Siria, Irani dhe Egjypti, morën djegie në lëkurë në pjesë të trupit nga benzina që përplasej nga presioni dallgëve.
14 emigrantë u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë.
Mes tyre në Vlorë ndodheshin edhe katër gra dhe një fëmijë, ndërsa mes të lënduarve, që u dërguan në Tiranë, ishin edhe tre fëmijë të tjerë.
2 mijë deri në 4 mijë dollarë kishin paguar emigrantët tek skafistët, për t’i dërguar ata në brigjet italiane.
Skafistët nuk janë kapur pasi kanë mundur të ikin, ndërsa policinë e kanë lajmëruar vetë emigrantët./ HistoriaIme
