Përplasje mes pronarëve dhe IKMT për prishjet e disa objekteve në Vlorë
Në kuadër të projektit për shëtitoren e Vlorës, apo e njohur si Lungomare, IKMT rinisi prishjet e disa lokaleve të zonës.
Aksioni është kthyer në situata të tensionuara dhe përplasje fizike mes pronarëve të ndërtesave dhe policisë. Pronarët e subjekteve private dhe punonjësit e tyre kanë protestuar për prishjet, duke thënë se projekti i Lungomares është ndryshuar.
“Kreu i Bashkisë të vijë këtu të na përgjigjet. Rama ka ndryshuar projektin e Lungomares, në projektin e parë nuk parashikohej prishja e objekteve”, ka thënë njëri prej pronarëve. Ata kanë kërkuar praninë e Kryeministrit dhe të kreut të Bashkisë Vlorë për t’iu shpjeguar se pse është tjetërsuar projekti dhe çfarë po ndodh realisht me Lungomaren.
Pronarët kanë deklaruar se objektet i kanë me leje dhe se nuk do të lejojnë shembjen e tyre.
Bëhet fjalë për tre njësi shërbimi hoteleri, restorante dhe menaxhim plazhesh që operojnë prej shumë vitesh në zonën e “Ujit të Ftohtë”.
/m.g/