Më datë 29 tetor, përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit zhvilluan një takim me Kryetarin e ri të Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Luigi Soreca. Aleanca i parashtroi Ambasadorit qëndrimin e saj kundër prishjes së godinës ekzistuese të Teatrit Kombëtar.
Në postimin e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në Facebook thuhet: “Megjithë përpjekjen e vazhdueshme për një qëndrim të përbashkët, të dy palët kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me problemin Teatrit, por edhe të zhvillimeve politike në vend që kanë frymëzuar çështjen e Teatrit.”
Ambasadori u njoh me disa nga shqetësimet e artistëve, të cilët për muaj me rradhë po vazhdojnë rezistencën në oborrin e Teatrit Kombëtar. Përpos problematikës së godinës, përfaqësuesit e Aleancës parashtruan dhe problemet ligjore që kanë lindur gjatë konfliktit për teatrin, përplasjen e ligjit special me normat kushtetuese, problemet që sjell kalimi i ligjit special në mbrojtjen dhe nxitjen e konkurencës si dhe cënimin e lirisë së fjalës,
Ndërkohë Ambasadori Soreca u shpreh se delegacioni dhe Komisioni Europian, nuk pranojnë të shprehen në lidhje me problemet e brendshme kushtetuese dhe ligjore, pasi do tejkalonin rolin e tyre dhe se vetëm institucionet lokale mund të japin një qëndrim të saktë. Ambasadori nuk kishte një qëndrim ndaj një skenari hipotetik ku qeveria shemb godinën, por më pas “ligji special” konsiderohet anti-kushtetues.
“Jemi të bindur, sot më shumë se kurrë, se problemet e Shqipërisë mund dhe duhet ti zgjidhin vetë shqiptarët. Sado dashamirës ose jo të jenë ambasadorët e huaj në vend, është e qartë se ideja që zhvillimi i vendit vjen prej tyre është një mit i rrezikshëm mbi të cilin nuk mund të mbështeten më shpresat e shqiptarëve.” – mbyllet postimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit në Facebook. / k.j