Për çfarë do e mbajë mend komuniteti LGBTQ+ Erion Veliajn

Nga Kristi Pinderi
Të martën më dërguan disa fotografi nga Tirana. Njëra tregon një zonë të fshehur në parkun e liqenit natën, ashtu siç unë e mbaj mend, ndërsa fotografitë e tjera e kanë fiksuar zonën ditën, shkrepur pak javë më parë, kur fadromat dhe mjetet e rënda presin pemët dhe shkulin rrënjët e tyre për t’i hapur rrugën ndërtimit të një piste vrapimi.

Nuk ka nevojë ta njohësh personalisht Erion Veliajn, mjafton tashmë përvoja me të si kryetar bashkie për ta kuptuar se pista e vrapimit do të shërbejë si një kalë troje për ta pushtuar hapësirën publike, për t’ia shndërruar destinacionin e për të çuar aty një rrugë në funksion të ndërtimeve të tjera që do të mbijnë shumë shpejt.

Por ky shkrim nuk është vetëm për Erion Veliaj, as vetëm për shkatërrimin e Tiranës apo të Shqipërisë.
Do përpiqem të tregoj se si është shkatërruar një pjesë e historisë së komunitetit LGBTQ+ në Tiranë.
“Cruising spots”
Zona dikur e fshehur natyralisht dhe pak e frekuentuar në parkun e liqenit, ishte një “cruising spot” historik për komunitetin LGBTQ+ në Tiranë. Për vende si Shqipëria, “crusing spots/areas” nuk kanë qenë vetëm hapësira ku djem e burra në moshë (apo çifte të reja njëherë e një kohë) takoheshin për të negociuar rituale seksi. Ato kanë qenë për shumë vjet e vetmja hapësirë ku njerëzit mund të ndiheshin relativisht të lirë për të ndërtuar një sens përkatësie, të pashqetësuar nga sytë paragjykues të shoqërisë.

Tirana ka pësuar aq ndryshime dramatike sa një copëz parku që ka një domethënie disi ndryshe për një grup të vogël njerëzish as nuk mund të krahasohet me, për shembull, shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, apo me zhdukjen graduale të njollave kulturore të Tiranës historike. Ajo që dua të them është se kjo humbje është dhe duhet konsideruar nga komuniteti LGBTQ+ në Shqipëri si pjesë e një proçesi më të gjerë të shkëputjes nga memoria urbane e njollave të ekzistencës sonë, është si të thuash një fshirje nga harta e së kaluarës, një fshirje që në rastin e një komuniteti si ai LGBTQ+, – që është përballur historikisht me fshirjen totale nga hapësira publike, – ka një impakt të dyfishtë.
Hapësira fizike e një qyteti është një përvojë personale. Ne i japim kuptim një vendi përmes përvojës sonë me të. Nuk ka të bëjë vetëm me kujtimet që ne i ankorojmë në një hapësirë gjeografike. Ka të bëjë mbi të gjitha me kuptimin që ne kemi për të, individualisht, kuptim që ia japim gradualisht teksa e përjetojmë fizikisht atë kuadrat publik.
Por hapësira publike është njëkohësisht edhe një përjetim kolektiv, që është shpesh më kokëfortë se përjetimi individual.

Për dekada me rradhë zona në fjalë, – e shkatërruar sot nga Erion Veliaj për ta vënë në funksion të interesave të biznesit, shpesh të lidhur me botën e krimit, – ka qënë hapësira gjeografike brenda së cilës dhjetëra e dhjetëra qytetarë gej të Tiranës kanë ndërtuar një mikro-kozmos ndërveprimesh sociale dhe kulturore.
Ka qënë një botë e mirëfilltë që në një mënyrë gati të padukshme nga sytë e shoqërisë, i ka dhënë jetë formimit të një komuniteti.
Për shumë njerëz prezenca në atë zonë të mbrojtur nga natyra dhe nga një set kodesh kulturore të pashkruara, ka qenë një akt rezistence ndaj paragjykimit dhe përjashtimit, por edhe një formë e padiskutueshme mbijetese.

Në Shqipërinë ku marrëdheniet gej ishin të kriminalizuara në kodin penal, dhe në kodet e pashkruara të pritshmërive shoqërore, një “cruising spot” nuk ishte vetëm një hapësirë fizike, gjeografike, ishte dhe një event shoqëror, kulturor dhe historik. “Cruising” luante rolin e një skene ku “aktorët”, dhjetëra burra e djem, ndërtonin marrëdhenie besimi, solidariteti, vinin në pikpyetje ngurtësinë e shoqërisë ndaj tyre, negocionin taktikat për të mbijetuar, mbështesnin emocionalisht dhe psikologjikisht njëri tjetrin, ndërtonin narrativa te përbashkëta. Ka qenë njësoj si për shembull zona të ngjashme në Mykonos. Mbaj mend një zonë të tillë atje në afërsi të një kishe buzë detit, territori i së cilës ndriçohej përgjysëm në mënyrë të qëllimtë nga bashkia, për të mos invaduar një hapësirë që përmes një marrëveshje të heshtur ishte pranuar si një cruising e mirëfilltë. Ose si zona të ngjashme në pothuajse çdo vend perëndimor, zona që përfaqsojnë një subkulturë të mirëfilltë, që shpesh ka zenë një pozicion qëndror në shumë vepra arti.
Ai “cruising spot” ishte për pasojë një event kolektiv që përjetohej nga shumë breza të komunitetit LGBTQ+ në Tiranë por dhe në gjithë Shqipërinë, po të kemi parasysh natyrën gravitacionale të Tiranës në Shqipëri.
Erion Veliaj
Në dhjetor të vitit 2014, Veliaj i cili në atë kohë ishte ministër për Mirëqënien Sociale dhe Rininë, po udhëtonte drejt SHBA për të marrë pjesë në konferencën globale të donatorëve LGBTQ+, një event periodik që synon të bëjë bashkë një numër qeverish të perëndimit si SHBA, Suedi, Kanada, Norvegji, Britani, Francë e Gjermani, me donatorë privatë dhe aktivistë të lëvizjes LGBTQ+ në botë.
Në ditën e parë të konferencës ai do të mbante një fjalim, ndaj më kërkoi dokumentarin SkaNdal, që dokumenton historinë e lëvizjes LGBTQ+ në Shqipëri. Tha se do ta shikonte gjatë udhëtimit me avion. Më thanë më pas se kishte shkëlqyer në atë fjalim!

Nga viti 2013 deri më sot, Veliaj ka ndërtuar një narrativë të gënjeshtërt si dikush që mbështet të drejtat e komunitetit LGBTQ+. Ai është i vetmi anëtar i qëverisë shqiptare që i hipte avionit për të shkuar në një konferencë donatorësh jo detyrimisht për të ndryshuar për mirë jetët e komunitetit LGBTQ+ në Shqipëri, por për të aksesuar një kozmos të tërë influencash, kontaktesh, e njerëzish me pushtet politik, mediatik edhe financiar. Eshtë i vetmi politikan në Shqipëri që detyrën për të mbështetur shërbime jetike sociale – shërbime që infrastruktura e pushtetit të tij lokal nuk i ndërton dot vetë – e shet si një nder që po i bën komunitetit.
Eshtë i vetmi politikan shqiptar që e ka instrumentalizuar mundësinë për të bërë diçka për komunitetin LGBTQ+ dhe e ka shndërruar atë në një maskë që i lejon atij të kapitalizojë pushtetin dhe influencën që i jep pjesëmarrja si “star” në ambiente të rëndësishme të vendimarrjes ndërkombëtare.
Por në Shqipëri, komuniteti LGBTQ+ duhet ta njohë për atë që është: njeriu që e fshin nga faqja e dheut jo vetëm hapësirën fizike, por mbi të gjitha historinë tonë të përbashkët. / HistoriaIme