Pas video-skandalit, mbyllet Kopshti Zoologjik i Tiranës
Kopshti Zoologjik i Tiranës, i cilësuar si kopshti më depresiv në Europë, ka mbyllur sot dyert e tij. Shkak u bë publikimi i videos skandaloze ku shfaqej një kalë i masakruar nga demi. Dy kafshët thuhet se jetonin në të njëjtin kafaz prej vitesh. Pas reagimit të fortë të organizatave për mbrojtjen e kafshëve dhe opinionit publik, Bashkia e Tiranës ka vendosur të mbyllë për një javë dyert e këtij vendi torturash.
Ermal Elezi, vullnetar i Animal Rescue Albania është shprehur sot pas dyerve të mbyllura të Kopshtit Zoologjik, se kjo video i ka shokuar dhe kërkojnë vëmendjen e plotë dhe masa të menjëhershme nga organet kompetente.
Kjo ngjarje ka ngjallur reagimin e studentëve të Biologjisë Natyrore të cilët kanë shkruar një peticion ku i kërkohej Bashkisë së Tiranës mbyllja e Kopshtit Zoologjik.
Videoja denoncuese e kalit të masakruar është vetëm një nga problemet, pasi prej vitesh kafshët vuajnë nga mungesa e ushqimit, mirëmbajtjes dhe kushtet e kafazeve.
Veterineri Klement Fullani ka thënë se në kafazet e Kopshtit Zoologjik bashkëjetojnë kafshë të llojeve të ndryshme si kali me demin apo lamat dhe delet me dhitë.
https://www.youtube.com/watch?v=d61A78NDlsQ
/Shqiptarja.com