Pas denoncimit arrestohet doganieri në Qafë Thanë, mori rryshfet nga 3 shtetas
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka ndaluar në orët e para të mëngjesit të sotëm, punonjësin e policisë Alfons Kita, me detyrë Përgjegjës Turni në Pikën e Kalimit Kufitar të Qafë-Thanës, Pogradec. Kita akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
N/komisar Alfons Kita dyshohet se ka përfituar para, duke shfrytëzuar atributet që i ofron detyra, për të lejuar udhëtimin e tre shtetasve drejt zonës Shengen, edhe pse nuk kishin dokumentacion të rregullt. Hetimi i SHÇBA-së nisi pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në Top Channel, ku shfaqet punonjësi i policisë Alfons Kita duke iu marrë një sasi parash tre të rinjve, të cilët nuk plotësonin kushtet për të udhëtuar në Shengen.
Ministria e Punëve të Brendshme përsërit falënderimin për median dhe qytetarët, të cilët denoncojnë raste të abuzimit dhe aferave korruptive dhe shpreh vendosmërinë për të goditur pa asnjë mëdyshje dhe shpejt çdo element të inkriminuar, apo punonjës që shpërdoron detyrën.
/Gazeta Shqip