Paditet për shpërdorim detyre ish- ministri i Arsimit, “akreditoi universitetin ‘Vitrina’ në kundërshtim me ligjin”
Ish- Ministri i Arsimit Myqerem Tafaj është kallëzuar penalisht nga Ministria e Arsimit nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Kallëzimi ndaj Tafajt pas kontrolleve të ushtruara nga Ministria e Arsimit, në të cilat u gjetën një sërë shkeljesh nga ish kreu i këtij institucioni.
Sipas A1 Report ish- Ministri Tafaj akuzohet për dhënie ambjentesh në pronësi të Ministrisë së Arsimit për subjekte private. Në bazë të kallëzimit, Tafaj i ka dhënë një godinë në pronësi të MAS një subjekti privat, por pa dhënë detaje se për cilin subjekt bëhet fjalë.
Po i njëjti burim saktëson se pjesë e kallëzimit penal ndaj Tafajt është edhe akreditimi në shkelje të ligjit për një universitet privat. A1 Report raporton se në shkelje të plotë me ligjin ish-Ministri ka akredituar Universitetin privat “Vitrina” i mbyllur së fundmi me vendim të Këshillit të Ministrave.
Kallëzimi penal në prokurori është dorëzuar nga ana e Sekretarit të Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit Plarent Ndreca.