The Media Freedom Rapid Response (MFRR) u bën thirrje të gjitha autoriteteve shtetërore në Shqipëri të sigurojnë që gazetarët, punonjësit e medias dhe burimet e tyre janë të mbrojtura dhe në gjendje të punojnë lirshëm
MFRR është alarmuar nga veprimet e fundit të cilat targetojnë punonjësit e mediave dhe burimet e gazetarëve në Shqipëri. Këto veprime përbëjnë një kërcënim serioz drejtuar të drejtës së publikut për t’u informuar dhe aftësisë së gazetarëve për t’i mbrojtur burimet e tyre.
Kjo nuk është në përputhje me të drejtën dhe standardet evropiane dhe duhet të adresohet menjëherë dhe në mënyrën e duhur nga të gjitha institucionet shtetërore kombëtare dhe lokale.
Siç raportohet nga një numër mediash shqiptare, dyshohet se Partia Socialiste ka një databazë e cila përmban emrat e 910,000 votuesve në rajonin e Tiranës, së bashku me të dhënat personale, duke përfshirë të dhënat e punësimit dhe të sfondit familjar. Kjo është një çështje e cila përbën interes të konsiderueshëm publik sidomos përpara zgjedhjeve parlamentare. Të premten më 16 prill, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë kërkoi që Andi Bushati dhe Armand Shkullaku, pronarë dhe redaktorë të Lapsi.al, të dorëzonin një pjesë të databazës për të cilën ata kishin raportuar. Pas refuzimit të tyre, ata u morën në pyetje.
Refuzimi i Bushatit dhe Shkullakut bazohet në detyrimin që e kanë ndaj burimit të tyre, pasi që ata nuk mund të garantonin se dorëzimi i databazës nuk do të zbulonte identitetin e burimit të tyre dhe nuk do t’i eskpozonte ata ndaj ndonjë veprimi ligjor.
Dy ditë më vonë, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar urdhëroi sekuestrimin e të gjitha të dhënave kompjuterike, duke përfshirë aparatet telefonike, serverat, kompjuterët, USB, DVD dhe pajisjet e tjera të ruajtjes së të dhënave në pronësi të LAPSI.al dhe pronarëve të saj. Sipas urdhrit të gjykatës, sekuestrimi i pajisjeve është i domosdoshëm si “provë që do t’i shërbejë hetimit dhe identifikimit të origjinës nga kanë dalë këto të dhëna”.
Mbrojtja e burimit të informacionit përbën një bazë jetike për sigurimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe pluralist mediatik dhe kërkon angazhim proaktiv nga të gjitha strukturat shtetërore për të siguruar që ato të mbrohen. Çdo veprim që targeton burimet ose kërcënon gazetarët mund të dekurajoj të tjerët që të flasin dhe të ndajnë informacione.
Këshilli i Evropës, anëtare e së cilës është edhe Shqipëria, ka sqaruar përmes disa rasteve gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut se burimet e gazetarëve janë të mbrojtura. Ky incident i fundit është në kundërshtim të plotë me këto parime.
Për më tepër, ka pasur një seri kërcënimesh alarmuese ku gazetarët dhe punonjësit e medias janë penguar me forcë për të pasur qasje tek zyrtarët publikë, sidomos tek Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më 12 prill 2021, Isa Myzyraj, një gazetar i Ora News u tërhoq zvarrë nga rojet e sigurisë së kryetarit të cilët i ushtruan presion fizik kur ai u afrua për të kërkuar komente në lidhje me ndërtimet dhe zhvillimet në Tiranë. Kjo përgjigje joproporcionale ndaj një kërkese të ligjshme të medias ndodhi pasi Myzyraj e kishte identifikuar veten në mënyrë të përsëritur si gazetar. Pa kaluar as një javë e plotë nga ky incident, puna e një ekipi tjetër të punonjësve të Ora News u ndalua me forcë nga një grup prej më shumë se 40 mbështetës të kryebashkiakut të Tiranës.
Pamjet tregojnë gazetarin e Ora News Ronaldo Sharka, i cili perplaset kundër një objekti, por edhe mbështetësit e tjerë të cilët ndërhyjnë në punën e xhiruesit të Ora News. Asnjë incident nuk është dënuar nga administrata në Tiranë, Partia Socialiste apo qeveria në përgjithësi.
Ky dështim për të vepruar vetëm se e normalizon këtë sjellje, duke dobësuar dhe rrezikuar edhe më tej sigurinë dhe aftësinë për të punuar të gazetarëve në Shqipëri. Në një kohë kur raportimi i pavarur, i paanshëm dhe faktik është më i nevojshëm se kurrë, MFRR bën thirrje për një kundërshtim publik ndaj tyre, por edhe fillimin e një hetimi të mirëfilltë dhe të pavarur për të siguruar që ata që ndodhen pas këtyre incidenteve të mbahen përgjegjës.
Kjo duhet përfshirë Erion Veliaj dhe rojet e tij të sigurisë, në mënyrë që të sigurohet që kjo nuk do të ndodhë më.
Që nga 1 Mars 2020, Mapping Media Freedom ka dokumentuar 21 shkelje të lirisë së medias në Shqipëri.
Kjo tregon nevojën emergjente për angazhime dhe veprime të menjëhershme strukturore për të mbrojtur lirinë e medias dhe për të siguruar që çdo gazetar dhe punonjës i medias do të jetë në gjendje të raportojë në interes të publikut.