Një shqiptar nga Kërraba vritet në Siri. Tre fëmijët dhe bashkëshortja ndodhen ende atje
Artur Koçollari nga Kërraba është një tjetër shqiptar që vritet në Siri. Koçollari rreth një vit më parë është larguar nga Shqipëria dhe familjes së tij nuk i ka treguar se ishte nisur për të luftuar në Siri. Burime pranë strukturave të rendit sqarojnë se pasi ka kaluar disa kohë, babai i dy vajzave dhe një djali ka telefonuar familjen e tij dhe u ka thënë se ishte në Siri dhe po luftonte për Xhihad. Më pas, thotë GSH, Artur Koçollari ka marrë edhe tre fëmijët e tij dhe bashkëshorten. Por, vetëm një javë më parë familja Koçollari që banon në Kërrabë ka marrë një telefonatë nga Siria, gjatë së cilës e kanë lajmëruar se i afërmi i tyre kishte rënë shehit gjatë luftimeve për Xhihad. Pas kësaj, vëllai i shqiptarit të vrarë në Siri është paraqitur pranë strukturave të policisë dhe ka shpjeguar me detaje atë që persona të panjohur kishin thënë në telefon.
Familjarët e Arturit duan që tre fëmijët e tij të kthehen në Shqipëri bashkë me nënën e tyre, edhe pse kjo e fundit gjatë telefonatave të pakta që ka bërë me familjen në Shqipëri ka deklaruar se nuk do kthehet.
a.k
Marrë nga respublica.al