Një familje përballë shtetit!
Në mes të qindra aktivistëve që marshuan sot nëpër rrugët e Tiranës, ishte edhe një familje, dy nëna dhe dy vajzat e tyre binjake.
Në të dy karrocat e bebeve ishin vendosur flamurët shumëngjyrësh të komunitetit LGBTI+, ndërsa nga njëra anë karrocën e shtynte Alba e veshur me një T-Shirt të verdhë ku shihej slogani i Tirana PRIDE “Ne jemi familje”, nga ana tjetër ishte Eda, e cila në duart e saj kishte vizatuar flamurin ylber.
Binjaket gjashtëmbëdhjetëmuajshe rrinin të qeta në rrugët e një qyteti sa kaotik, aq edhe rebel, shpesh herë edhe diskriminues, por edhe revolucionar.
Alba dhe Eda, marshonin në Paradë dhe të buzëqeshura shtynin bebet e tyre, që nuk mund t’i kenë ligjërisht të tyre.
Ai marshim i të katërtave bashkë, nuk ishte thjesht një marshim i Albës dhe Edës për të dhjetin vit radhazi, por siç e quan aktivisti Kristi Pinderi: “Është historike sepse bashkon brezin e bashkëthemeluesve të lëvizjes LGBTI në Shqipëri me te ardhmen!
Kristi Pinderi shkruan; “Alba Ahmetaj dhe Eda Mara janë bashkëthemeluese e tani drejtuese të Pro LGBT dhe të “Historia Ime”. Ato kanë qenë në çdo aksion, në çdo nismë e ne çdo zhvillim të lëvizjes në Shqipëri. Sot janë nëna të dy fëmijëve. Jeta e tyre e përbashkët dhe lindja e fëmijëve janë dëshmi e rrugëtimit të padiskutueshëm përpara të lëvizjes në Shqipëri, ashtu siç janë dëshmi edhe e pengesave të jashtëzakonshme. Ato janë sot perballë shtetit shqiptar në një çështje gjyqësore për regjistrimin e fëmijëve dhe për njohjen e plotë të familjes. Në rast se Shqipëria nuk është e ndjeshme ndaj dy nënave, herët ose vonë do të duhet të jetë me interesin më të lartë të fëmijëve. Fëmijëve nuk mund t’u mohojë askush të drejtën për tu rritur në familjen e tyre. Ky është viti i parë që fëmijët marrin pjesë në paradë bashkë me nënat e tyre. Fotoja është historike sepse bashkon brezin e bashkëthemeluesve të lëvizjes LGBTI në Shqipëri me të ardhmen!”
Qartazi tanimë lëvizja LGBTI+ në Shqipëri ka marrë një drejtim të pandalshëm, të ngadaltë por të pakthyeshëm e historik, sepse edhe nëse Gjykata Administrative nuk do të japë një vendim në favor të kësaj familje, atëherë Gjykata e Strasburgut do ta vulosë atë në bazë të precendentëve të mëparshëm./HistoriaIme