Nisin sondazhet zgjedhore; Veliaj kryeson në Tiranë
Rreth pesë javë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të 21 qershorit në Shqipëri, një sondazh i publikuar nga ‘IPR Marketing’ dhe ‘Ora News’ tregon se si do të kishin votuar shqiptarët nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot.
Drejtori i IPR Marketing tha në emisionin “Tonight”, të gazetares Ilva Tare, se sondazhi është zhvilluar në 34 ditët e fundit dhe për çdo qytet ka një kampion përfaqësues prej 1 mijë zgjedhësish, të ndarë sipas gjinisë dhe moshës.
“Kur flasim për Tiranën, Shkodrën dhe Durrësin, sondazhi është kryer edhe në ato komuna që do të jenë pjesë e këtyre qyteteve me ligjin e ri”,- tha drejtori i IPR Marketing Antonio Noto.
Sondazhi për Shkodrën
Për qytetin e Shkodrës, pyetjes se e njihni apo keni dëgjuar ndonjëherë për dy kandidatet Ademi dhe Bazhdari, të dy kandidatet dalin të njohura. Për sa i përket nivelit të besimit, kandidatja e PD-së Voltana Admi rezulton me 58.2% të votave dhe kandidatja e PS-së, Keti Bazhdari me 37.1%.
Sipas këtij sondazhi, Voltana Ademi rezulton e votuar me 60 për qind të votuesve, ndërsa Keti Bazhdari me 40 për qind të votave. Për sa i përket koalicioneve, koalicioni i djathtë ka marrë 55% dhe koalicioni i majtë 43.5%.
Sondazhi për Durrësin
Për Bashkinë e Durrësit, për sa i përket njohjes së kandidatëve, të dy rezultojnë të njohur. Kandidatja e PD-së, Grida Duma rezulton e njohur në kuotën 87.1%, ndërsa kandidati i PS-së, Vangjush Dako në shifrat 91.2% të votave.
Për sa i përket votës për kandidatët, kreu aktual i Bashkisë së Durrësit kryeson me 51% të votave, ndërsa kandidatja e PD-së, ka marrë 49% të votave. Në votimet për koalicionet, e majta kryeson me 57% dhe e djathta është kuotuar me 41.5%.
Sondazhi për Tiranën
Sipas sondazhit të IPR Marketing, kandidati i koalicionit të majtë, Erion Veliaj kryeson 45.5% të votave ndaj kandidatit të Partisë Demokratike, Halim Kosova, i cili rezulton i votuar nga 36.5% e atyre që kanë marrë pjesë ne anketim. I treti në kuotim është renditur kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Gjergj Bojaxhi, duke marrë 12.5% të votave.
Për Bashkinë e Tiranës, të dy kandidatët e dy partive të mëdha, Erion Veliaj nga PS dhe Halim Kosova nga PD, rezultojnë të njohur. Po ashtu jo më pak të njohur janë edhe dy kandidatët e tjerë Gjergj Bojaxhi dhe Sazan Guri.
Sipas sondazhit, kandidati i PD-së është më i njohur në zonat rurale dhe ka një nivel më të lartë besueshmërie tek gratë, ndërsa kandidati i majtë ka një nivel besueshmërie më të lartë në zonën urbane. /Panorama