Nisi si incident anti-LGBTI, u vra një gazetar. Kërkohet dorëheqja e qeverisë gjeorgjiane
Të hënën e kaluar, më shumë se 50 gazetarë u sulmuan nga një turmë anti-homoseksuale në Tbilisi.
Një kameraman i cili u plagos rëndë, më vonë vdiq.
Në kryeqytet dhe qytete të tjera të Gjeorgjisë tanimë, mijëra persona kanë mbushur sheshet me kërkesën kryesore të dorëheqjes së qeverisë.
“Ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Irakli Garibashvilit dhe qeverisë së tij, të cilët kanë udhëhequr dhunën kundër gazetarëve,” tha udhëheqësi i opozitës Nika Melia në tubim.
Kameramani 37-vjeçar Alexander Lashkarava, i cili punonte për kanalin e pavarur TV Pirweli, u gjet i vdekur në shtratin e tij. Ai ishte rrahur të hënën e kaluar nga kundër-demonstruesit që protestonin kundër një marshimi nga e ashtuquajtura lëvizje LGBTQ.
Lashkarava pësoi fraktura në kockat e fytyrës. Ministria e Brendshme njoftoi një hetim për vdekjen e 37-vjeçarit. Katër të dyshuar u arrestuan për sulmin.
Më shumë se 50 gazetarë u sulmuan fizikisht nga kundërdemonstruesit të hënën. Ata patën kocka të thyera, tronditje dhe djegie kimike, sipas organizatës Reporterët pa Kufij (RSF). RSF akuzoi autoritetet gjeorgjiane se nuk kishin ndërhyrë kundër sulmeve dhe për këtë arsye ishin bashkëpunëtorë në dëmtimet e shkaktuara kundër gazetarëve.
Mediat e pavarura në vend, dhe përfaqësuesit e tyre kanë akuzuar në vazhdimësi qeverinë e kryeministrit Garibashvin për nxitje të dhunës ndaj gazetarëve dhe madje edhe për organizimin e akteve të tilla të dhunës.
“Qeveria jo vetëm që inkurajon dhunën ndaj gazetarëve, por është pjesë e kësaj dhune,” tha Nodar Meladze, drejtori editorial i TV Pirweli./ Historiaime