Ngjarjet LGBTI+ në 2022 në Shqipëri

Një dekadë Pride
Nën moton “Ne jemi familje” në datën 21 maj 2022, u mbajt parade e 10 e krenarisë në Tiranë.
Qindra persona marshuan rrugëve dhe shesheve kryesore të Tiranës për disa orë me radhë.
Parada ishte mbyllja e një jave të gjatë aktivitetesh në Tiranë, që mblodhi bashkë në kryeqytetin e Shqipërisë aktivistë nga i gjithë rajoni.
Një familje përballë shtetit
Alba Ahmetaj dhe Edlira Mara u bënë familja e parë në vend që doli hapur si një familje LGBTI+.
Të dyja, nisën një betejë gjyqësore të gjatë e të vështirë, që Gjendja Civile tu njohë bashkëmëmësinë e dy vajzave të tyre binjake.
Deri më tani procesi ka mbaruar dy shkallët e gjyqësorit, Gjykatën Administrative, dhe Gjykatën e Apelit Administrativ, dhe të dy gjykatat fatkeqësisht kanë vendosur kundër tyre.
Beteja do të vazhdojë gjatë vitit të ardhshëm në shkallët e tjera të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.
Aktivistët LGBTI+ i përgjigjen ftesës së Akil Panos
Aktivistët LGBTI+ iu përgjigjën ftesës së Pastorit Akil Pano dhe shkuan në kishën e tij në kryeqytet për ta ndjekur nga afër dhe për të dëgjuar “rrugëtimin” e “shërimit” të Nausicas.
Akil Pano, një ndër personat më të zëshëm kundër komunitetit LGBTIQ+ dhe familjeve LGBTIQ+, gjatë një emisioni televiz, në të cilën gazetarja Della Valle ndau historinë e saj të “shërimit”, ftoi të gjithë njerëzit të bashkoheshin me ta në aktivitetin në kishë.
Në fund, aktivistët nuk u konvertuan në heteroseksualë!
Terapia e Konvertimit është e jashtëligjshme në Shqipëri prej viti 2020
Debati Prindi 1, Prindi 2
Një debat i pakuptimtë lindi në vend gjatë vitit 2022.
Disa persona me një retorikë të qartë anti-LGBTI+, nisën në rrjetet sociale e më pas edhe në mediat në vend, të shprehnin “shqetësimin” sikur komuniteti LGBTI+ në Shqipëri, paska kërkuar që të ndërrohen emrat “nënë” dhe “baba” me termat “prindi 1, dhe prindi 2”.
Pavarësisht se studiot televizive i kushtuan orë të tëra hapësirë këtij debati, komuniteti LGBTI+ deklaroi se nuk e ka kërkuar kurrë një gjë të tillë dhe se debati ishte i importuar nga vendet e tjera dhe nuk kishte lidhje me Shqipërinë.