Nga 21 marsi, jo më makina me timon në krahë të djathtë
Nëse po mendoni të blini një makinë me timon “anglez”, atëherë më mirë të mos e bëni. Pas datës 20 mars, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor ka vendosur se nuk do të lejojë më regjistrimin e mjeteve me timon në krah të djathtë.
Kjo masë e përfolur disa herë, thuhet se është marrë pasi makinat me timonë në krahun e djathtë janë shpeshëherë burim aksidentesh. Me ndryshimet e reja të Kodit Rrugor synohet të ulet numri i lartë i aksidenteve, që më së shumti janë përplasje ballore me pasojë vdekjen e qytetarëve.
“Nga data 21 mars, makinat me timon në krah të djathtë nuk do të regjistohen në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kjo vlen për ato makina, që do hyjnë dhe regjistrohen për herë të parë, pasi makinat e tjera ekzistuese me targa shqiptare do të qëndrojnë, deri në një amortizim natyral të tyre”, – tha Artan Gaçi, deputet i PS.
Sipas zoti Gaçi mendohej edhe opsioni që të ndaloheshin apo modifikoheshin edhe makinat ekzistuese, por kjo do të përbënte një masë penalizuese për ekonominë e shumë qytetarëve që i zotërojnë. E deri në fazën e amortizimit, këto automjete do të vazhdojnë të jenë burim aksidentesh në rrugët shqiptare.
Ligji bën përjashtim për turistët, të cilët mund të qarkullojnë deri në 6 muaj, ndërsa qytetarët e tjerë që duan të importojnë këto automjete duhet të kryejnë modifikimin e tyre, pasi në të kundërt nuk do të lejohen në hyjnë në territorin shqiptar.