Ndërsa Kina por edhe bota mbarë vijon të luftojë përhapjen e koronavirusit, (Covid-19) kërkesa për ndotësin më të madh në botë, karbonin ka rënë ndjeshëm.
Emetimet e karbonit në Kinë kanë rënë në mënyrë drastike, që nga shpërthimi i Covid-19.
Kjo vjen për shkak se dhjetëra qytete tanimë kanë ndaluar transportin, për shkak të karantinimit, qytetarët janë ngujuar në shtëpi në përpjekje për të luftuar epideminë vdekjeprurëse. Emetimet e karbonit u zvogëluan në mënyrë të mahnitshme me 100 milionë ton.
Gjithsesi, pavarësisht këtij lajmi të mirë, ekspertët thonë se ulja ka të ngjarë të jetë e përkohshme.
Shpërthimi i koronavirusit ka pasur një ndikim të madh në botë, numri i vdekjeve tanimë ka kaluar 2.000 dhe janë rreth 74.000 raste të infektuara. Përballë kësaj epidemie të frikshme, Kina ka zbatuar masa të rrepta, që kanë prekur transportin, firmat e mëdha kanë ndaluar punën, ndërsa ekonomia duket se po pëson një goditje të fortë.
Sipas raportit global të karbonit, aktiviteti i ulur ekonomik, prodhimi industrial dhe kërkesa e reduktuar në mënyrë dramatike për energji elektrike ka çuar në një ulje masive të emetimeve të karbonit në vend me rreth 100 milion ton, dhe tanimë Kina, përsa i përket emetimeve, edhe pse është një shtet shumë i madh, ka emetime vjetore të krahasueshme me Kilin.
Raporti i Karbonit të Brendshëm ekzaminoi emetimet gjatë periudhës dy javore që fillojnë 10 ditë pas fillimit të Vitit të Ri Lunar, dhe e krahasuan me të dhënat për të njëjtën periudhë për secilin vit në 5 vitet e fundit. Në vitin 2019 gjatë kësaj periudhe, Kina lëshoi 400 milion tonë metrikë dioksidi të karbonit, ndërsa shifra e këtij viti është më afër 300 milion ton metrikë.
Ekspertët thonë se arsyet kryesore që mbështesin emetimet e ulëta është një ulje dramatike e përdorimit të karburanteve fosile në Kinë, përdoruesi më i madh në botë i thëngjillit. Sipas analizës, konsumi i qymyrit në Kinë ka rënë ndjeshëm, për shkak të prodhimit të ulët nga rafineritë e naftës, prodhimin e energjisë dhe prodhimin e çelikut si rezultat i epidemisë.
Gjithsesi, ekspertët nuk janë shumë entuziastë, pasi ata thonë se pavarësisht se ky është një lajm i mrekullueshëm, për të shpëtuar planetin tokë, duhet bërë akoma punë e madhe.
Vetëm muajin e parë të 2020, Toka përjetoi Janarin e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë nga Administrata Kombëtare e Oqeanit dhe Atmosferës (NOAA) , duke vazhduar trendin përshpejtues të rritjes së temperaturave, dhe kjo ishte përkundër faktit se emetimet e Kinës për karbon, kishin rënë në atë periudhë./ E.R- HistoriaIme