Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak pas mesnatës së të martës në Zonën e Laprakës, në rrugën “Dritan Hoxha” në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë.
Mësohet se rreth orës 01:45, 25-vjeçari me inicialet K.R., nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar kur ai është urdhëruar nga policia.
Sipas burime zyrtare të policisë së Shtetit i riu ka tentuar të largohet, ndërsa pas disa thirrjeve nga një efektiv i policisë ai nuk ka ndaluar, ndërsa në një moment ai është qëlluar për vdekje me dy plumba.
Polici që ka qëlluar mbi të riun është arrestuar mesditën e së martës, ndërsa i riu paraprakisht mësohet se nuk ka qenë i armatosur, por sipas njoftimit policit me iniciale N.H “i është dukur” sikur i riu ka pasur një armë zjarri.
NJOFTIMI PARAPRAK I POLICISE
Rreth orës 01:45 të mesnatës shërbimet e Policisë gjatë patrullimit në rrugën “Dritan Hoxha”, kanë konstatuar një shtetas i cili kryente veprime të dyshimta. Punonjësit e Policisë i kanë bërë thirrje të ndalonte por personi nuk i është bindur urdhërit të tyre. Edhe pas thirrjeve të vazhdueshme të bëra nga ana e Punonjësit të Policisë, përsëri nuk ka ndaluar dhe është larguar me vrap, duke hedhur në drejtim të tij një send të fortë, në dukje armë zjarri.
I gjendur në këto kushte dhe në mungesë të ndriçimit të plotë, punonjësi i policisë e ka qëlluar me armë zjarri. Për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi K.R., 25 vjeç i cili ka humbur jetën në spital. Menjeherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe Policia. Prokurori ndodhet në vendngjarje duke ndjekur e monitoruar të gjitha veprimet që po kryhen nga Sherbimi për Çështjet e Brendshme , Ankesat në MB dhe Policia.
Punonjësi i policisë N.H., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore. Ende vijon puna intensive nga grupi hetimor për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes.
Kjo ngjarje ka dominuar rrjetet sociale ditën e martë 8 dhjetor, ndërsa në vend shënohet Dita e Rinisë.
Prej vitit 2009, me vendim të marrë nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.
Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja Lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë.
Akti i tyre publik, sa qytetar aq edhe politik, i dha fund në mënyrë paqësore epokës të gjatë të vetëizolimit dhe të sundimit ideologjik, duke i hapur kështu rrugën e ekonomisë së tregut dhe shoqërisë së hapur./ HistoriaIme