Ndyshon sërish taksa për pronën, veç individëve dhe biznesit taksohen edhe ndërtuesit
Revista “Monitor” ka pasqyruar draftin final të projektligjit “Për taksat vendore”. Ligji i shumë diskutuar ka ndryshuar sërish, duke shtuar edhe taksimin për ndërtuesit veç atij për individët dhe bizneset.
Burime nga Ministria e Financave kanë thënë për Monitor se kjo pagesë është vendosur për të nxitur respektimin afateve të lejeve të zhvillimit që marrin subjektet.
Neni i ri i shtuar në këtë ligj përcakton këto taksa mbi ndërtesat në bazë të përqindjes:
- 05% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për banim.
- 15% për ndërtesën që përdoret, shfrytëzohet për veprimtari ekonomike.
- 30 % e shkallës së taksës përkatëse për të gjithë sipërfaqen ndërtimore për të cilën zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë sipas afatit të përcaktuar në aktin e miratimit të kërkesës për leje ndërtimi.
Ligji i ri do të vendosë një barrë taksash jo të vogël për ndërtuesit të cilët nuk respektojnë afatet duke e çuar shkallën e taksimit në 30%.
Nga ana tjetër ka edhe shtesa në listën e ndërtesave që përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat dhe kjo është në vijim të parajsës që qeveria po krijon për të nxitur hotelet me pesë yje me status special. Pikërisht kjo kategori nuk do paguajë taksë ndërtesa.
Ngrihet Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë
Ashtu siç ishte lajmëruar në Ministrinë e Financave do të krijohet struktura e cila do të menaxhojë ecurinë e ngritjes së kadastrës fiskale.
Projektligji përcakton 3 detyra kryesore për Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë:
- Menaxhon regjistrin qendror të bazës së të dhënave të pasurive të paluajtshme (kadastra fiskale).
- Udhëheq nga pikëpamja metodologjike në lidhje me administrimin e taksës mbi pasuritë e paluajtshme.
- Përcakton nivelin e vlerësuar të taksës së pasurisë së paluajtshme për ndërtesat si dhe detyrimin e taksës së pronës me metoda alternative të vlerësimit.
/l.k./