Me mbylljen e procesit të votimit, pa parregullsi të mëdha të shënuara, janë disa exit-polle të kryera nga media të mëdha në vend, të cilat nxjerrin si parti të parë Partinë Socialiste, por në vështirësi për krijimin e një qeverie e vetme, si në vitin 2017.
Exit pollet e publikuara nga Euronews, Notto Sondaggi, ABC news dhe Top Channel, nxjerrin Partinë Socialiste dhe atë Demokratike në nivele të njëjta në Tiranë, ku ndryshimin pritet ta bëj Lëvizja Socialiste për Integrim, në avantazh të opozitës së bashkuar.
Vota e Tiranës, shpeshherë me një sinjal të fortë për rezultatin në rang vendi, është vendimtare për qeverisjen e ardhshme. Partia Socialiste shënon një rënie në vota, një mesazh i qartë për politikat e gabuara të viteve të fundit, të cilat në muajt e fundit u mbërthyen nga skandale të forta si ai i prishjes së teatrit e shkatërrimit të rrënjëve kulturore të qytetit, ndërhyrjes së mafies italiane në lejet e ndërtimit, apo edhe përdorimi i të dhënave sensitive të qytetarëve.
GJithashtu opozita shihet në avantazh edhe në qarqet e Durrësit, Shkodrës, Dibrës, Lezhes dhe në një garë të ngushtë me PS në qarkun e Elbasanit.
Në krahasim me votat e vitit 2017, opozita e bashkuar duket të ketë fituar edhe më shumë vota në qarkun e Vlorës edhe të Fierit.
Brenda pak orëve, pritet të nis numërimi në Bashkitë e vogla në vend, i cili do të krijojë edhe një imazh më të qartë. Në orën 8 të mëngjesit të ditës së nesërme, do të publikohen rezultatet e njësisë 10 në Tiranë, e cila këtë herë votoi vetëm elektronikisht, një risi e ndryshimeve të fundit zgjedhore.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, rezultati paraprak pritet të shpallet brenda 48 orëve.
Në një reagim mbi rezultatet e exit poll, Kristi Pinderi ngre pyetjen: “A kanë të drejtë qytetarët e Tiranës të presin dorëheqjen e Veliajt dhe përballjen e tij me drejtesinë për krimet dhe korrupsionin e bëre në Tiranë?”
Ndërkohë që disfata e Veliajt është përmendur edhe nga analistë të shumtë në media.
Për gazetaren Kostana Morava, Tirana duhet të shkojë në zgjedhje, pas kontestimit të zgjedhjeve një-partiake të vitit 2019, duke shtuar se: “Sot Tirana i tregoi ‘zdromsit’ që shkatërroi Teatrin Kombëtar, atij që shaktërroi cdo memorie urbane të këtij qyteti, se jo vetem qe nuk e duam këtu, por s’duam t’i dëgjojmë me as emrin.”
Ndërsa Alida Karakushi, po ashtu aktiviste, shprehet se: “Edhe Teatri Kombëtar mori hak sot në kryeqytet. Veliaj rradha për të të shkundur dhe ty nga posti. Gjithsesi nuk ke legjitimitet përpos se tjerash.”
E të njëjtit mendim është dhe pedagogia Marinela Sota, e cila gjithashtu disfatën e PS dhe Veliaj në Tiranë e lidh me shkatërrimin e Teatrit Kombëtar, veprim të cilin e quan si abuzim me detyrën dhe shprehet shpreëplotë për rezultatin.
Ndryshimi duket se po vjen nga Tirana, pas një klime të acaruar politike dhe zgjedhjeve njëpartiake lokale të vitit 2019. Një gjë e tillë vërtetohet edhe nga pjesëmarrja e shtuar e votuesve në Tiranë, e cilla llogaritet paraprakisht 3 deri ne 5% më shumë se në zgjedhjet e shkuara.
Se sa i vërtetë e në cfarë përmasash do të jetë ky ndryshim, mbetet për tu parë në orët në vijim.