Pas dhjetëra protestave, në Ballsh e në Tiranë, pasi nuk morën rrogat e tyre edhe pse punuan, pasi qeveria e kompania është tallur me to, naftëtarët e Ballshit kanë hyrë në grevë urie ditën e sotme.
Fillimisht ata u mblodhën përpara uzinës në formën e protestës ndërkohë që ishin në pritje të një përgjigje.
10 persona janë futur në një ambient pranë uzinës mëngjesin e së hënës së 28 shtatorit.
Kreu i sindikatës së naftëtarëve të pavarur, Sokol Dautaj u shpreh për mediat se kjo është mënyra e vetme pasi sipas tij ka pasur një indiferencë nga institucionet shtetërore.
“Ne jemi përpjekur me të gjitha mënyrat, greva e parë e urisë, protesta të vazhduezhme përpara rafinerisë, bashkisë e prefekturës. Ditët e fundit shkuam dhe në kryeministri. Indiferenca e këtyre është tallëse dhe fyese. Ne kemi dhënë dy opsionet tona, të fillojë puna me njerëzit e duhur në mënyrë që pas 6 muajsh mos dalim sërish në rrugë. Opsioni i dytë është që të mbyllet rafineria dhe të na jepen paratë prapa. Greva e urisë nuk është politike, është vetëm ekonomike. Këta janë tallur rëndë me ne. Ne madje nënshkruam dhe kontratat përpara dy javësh dhe ajo ishte tallja më e madhe” – tha Dautaj.
Greva e tyre po zhvillohet brenda njërës prej duzinave të naftës në Ballsh./ HistoriaIme