Vitet e fundit kemi dëgjuar të flitet gjithmonë edhe më shpesh për mure, ngritjen e tyre dhe retorikën e urrejtjes që vjen nga frika nga ‘e panjohura’.
30 vite pas rënies së Murit të Berlinit, shpresa për bashkimin e perëndimit me lindjen duket ende larg në horizont.
Një mur ra, por dhjetëra të tjerë u ngritën, duke krijuar një perëndim gjithnjë e më të izoluar nga lindja, i rrethuar nga mure fizikë, gardhe të shtrirë me kilometra të tërë përgjatë kufijve midis shteteve. Nga muri ndarës mes Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës, te gardhet kufitare në Hungari e Kroaci apo kthimi i Mesdheut në detin e vdekjes, kemi shembuj të shumtë që flasin për një hendek të madh e thuajse të pakapërcyeshëm, përsa i përket lindjes në zhvillim e perëndimit të zhvilluar.
Nëse në ditën e sotme nuk është më politikisht korrekt dhe i qëndrueshëm koncepti i tre botëve, përdorur gjerësisht gjatë Luftës së Ftohtë, padyshim që mund të flasim për Lindje dhe Perëndim, si dy “botë” paralele ku në njërën anë diskutohet zhvillimi i qëndrueshëm e në anën tjetër mbijetesa.
Në një hartë të vitit 2009, të publikuar nga TD Architects në një ekspozitë mbi zhvillimin e ndryshëm të shteteve, të quajtur “Bota e murosur”, tregohet qartësisht ndarja e madhe lindje-perëndim, para 10 vitesh.
Në hartë listohen kufijtë e murosur apo shembujt konkrete të mureve fizikë që ekzistojnë sot mes tyre, e nga ana tjetër tregohet dhe disbalanca e madhe zhvillimore, nëse marrim parasysh të ardhurat mesatare për frymë. Në dekadën e shkuar, padyshim që ky hendek është zgjeruar dhe më tej me shtimin e retorikës anti-emigracion dhe lëvizjet e mëdha të refugjatëve nga shtetet e lindjes drejt perëndimit.

Në hartën e mësipërme duket mëse qartë ndarja e dy botëve në vitin 2009, e pas 11 vitesh, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Në botën perëndimore përfshihet Bashkimi Evropian dhe shtetet partnere të EFTA (Norvegji, Zvicër, Islandë), Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Japonia, Koreja e Jugut, Zelanda e Re dhe Australia. Në këtë pjesë të botës, ku jeton vetëm 14 përqind e popullësisë deri në vitin 2009, prodhoheshin 73% të të ardhurave në nivel global. Ndërsa të gjithë shtetet e tjera të grupit të “lindjes”, prodhojnë vetëm 27% të të ardhurave globale, ndërkohë që në to jeton rreth 86% e popullsisë.
Edhe pse statistikat në hartë mund të kenë ndryshuar disi, pika kryesore e saj mbetet akoma tronditëse: vendet e pasura të botës janë, në të vërtetë, komuniteti më i madh i murosur në botë. Ky gardh në mbarë botën rrallëherë na paraqitet në tërësinë e tij; për shumëkënd këto pjesë të ndara, nuk duket se i përkasin të njëjtit hendek.
Kufiri SHBA-Meksikë është shumë larg nga “Kështjella e Evropës”, dhe të dyja janë të ndryshme nga muri i sigurisë i ngritur prej Izraelit. Barrierat e tjera, të ngjashme, kanë veçoritë e tyre. Por, në fund të fundit, të gjitha këto barriera bëjnë të njëjtën gjë: mbajnë masat e varfëra, të zhveshura nga dhjetëra mundësi, jashtë lëndinave të zbukuruara dhe qyteteve të zhvilluara të perëndimit.
Në 10 vite, ndryshimet vetëm janë thelluar dhe ende nuk mund të flasim për shembje të mureve, për aq kohë sa jemi të rrethuar prej tyre e po ngremë dhjetëra të tjerë.
Një nga sfidat kryesore të dekadës së re, shembja e mureve lindje-perëndim apo mes shtetesh është ende çështje e pazgjidhur e po qëndron në mes të së ardhmes, e cila pas rënies së murit të Berlinit, pritej të zhvillohej bashkarisht e me hapa të shpejtë.
Burimi i fotos: Pollenoid / Creative Commons Attribution-Non Commercial-Share Alike licence