Teksa në vendin tonë numri i të infektuarve me koronavirus ka arritur zyrtarisht në 33, është shënuar edhe një viktimë në Durrës, qeveria po shton nga ora në orë masat për të parandaluar përhapjen e këtij virusi edhe më tej.
Kështu, Durrësi dhe Tirana kanë pezulluar ҫdo lloj lëvizje me mjete private dhe publike nga e premta në orën 06:00 deri të dielën në orën 00:00.
Kreu i qeverisë Edi Rama, u ka bërë thirrje të gjithë personave që janë larguar nga Tirana dhe Durrësi për fundjavë që të kthehen në shtëpitë e tyre nga e diela në orën 00:00 deri të hënën në orën 08:00 pasi bllokimi i këtyre qyteteve mund të vijojë edhe më tej.
Gjithashtu sipas vendimit të qeverisë, nga e diela qarkullimi do të ndalohet edhe në Vorë, Fier, Lezhë, Shkodër, Lushnje, Elbasan dhe Korҫë.
Nga ana tjetër sipas një vendimi të së premtes pasdite, të gjitha lokalet dhe restorantet në të gjithë vendin do të mbyllen deri me datë 03 prill 2020.
Edhe kufijtë e vendit janë mbyllur. Policia kufitare ka njoftuar se të shtunën në orën 10:00 mbyllet kufiri me Greqinë, te premten në orën 19:00 është mbyllur kufiri me Malin e Zi, dhe nga e shtuna Kosova ka mbyllur kufirin me ҫdo shtet, përfshirë edhe vendin tonë.
Nga ana tjetër janë mbyllur edhe të gjitha fasoneritë, call-centerat dhe qendrat tregtare në Tiranë dhe Durrës./ HistoriaIme


