Pas raportimeve të disa mediave lokale, se Ministria e Mjedisit po planifikon shpalljen e rrjedhës së lumit Vjosa si Park Kombëtar, organizatat mjedisore në vend dhe ato Evropiane, ngritën shqetësimin për pretendimet e Ministrisë, duke përgënjeshtruar deklaratat e tyre.
Sipas burimeve të EcoAlbania dhe organizatave partnere, planifikohet shpallja si zonë e mbrojtur jo e të gjithë rrjedhës së lumit, duke lënë të pambrojtur zonën ku janë planifikuar hidrocentralet, e cila sipas tyre është dhe zona ekologjikisht më e ndjeshme.
Sipas informacionit tonë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit nuk po planifikon të krijojë një park kombëtar, por një peizazh të mbrojtur (kategoria (V) dhe vetëm në rrjedhën e sipërme të Vjosës. Seksioni ekologjikisht më i vlefshëm i lumit – i cili është gjithashtu zona ku janë planifikuar hidrocentralet – do të mbetet plotësisht i pambrojtur. Prandaj, ne vendosëm të veprojmë dhe të paraqesim një propozim të plotë.
Ditën e sotme, rreth 20 organizata mjedisore paraqitën propozimin për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës tek Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi.
Në deklaratën e tyre, organizatat shprehen se: “..ne vendosëm të veprojmë dhe të paraqesim një propozim të plotë. Tani do të shohim se çfarë dëshiron me të vërtetë qeveria jonë: hidrocentrale apo një park kombëtar.”
Kauza e tyre mbështetet nga organizatat ndërkombëtare Riverwatch, EuroNatur, WWF Adria, Westland International Europe, International Rivers dhe The Nature Conservancy.
Sipas propozimit të organziatave, parku kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri si dhe degët e paprekura të Vjosës si Bënça dhe Shushica.
Në total, Parku Kombëtar i propozuar i Vjosës do të mbulojë rreth 45,000 hektarë dhe do të mbrojë rreth 300 kilometra rrjedhë ujore. Kjo do të ishte unike në Evropë dhe Vjosa mund të bëhet Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë.
Deri më tani, 1,175 specie kafshësh dhe bimësh janë regjistruar përgjatë Vjosës, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të IUCN. Në fakt, numri i specieve të rralla është ndoshta shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj vështirë se janë eksploruar.
“Një Park Kombëtar sipas kritereve të IUCN është kategoria më e përshtatshme e mbrojtjes për Vjosën, sepse jo vetëm garanton më së miri mbrojtjen e këtij ekosistemi unik, por gjithashtu sepse synon zhvillimin e ekoturizmit si një formë e turizmit miqësor me mjedisin si dhe edukimin mjedisor. “
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tani duhet të shqyrtojë propozimin tonë dhe më pas ajo mund të follojë zyrtarisht procedurën e mbrojtjes.
Në vijim mund të lexoni të plotë deklaratën e organizatave si dhe propozimin e paraqitur për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.
Burimi: EcoAlbania
Burimi i fotos: © Gregor Subic