Së fundmi në një vendim të qeverisë së Shqipërisë në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit Covid-19, është marrë edhe vendimi që të mbyllen të gjitha klubet e natës, diskot dhe në të gjitha ambientet, si lokalet ose restorantet të ndalohet muzika në orën 20:00.
Pikërisht ky vendim i fundit, ndalja e muzikës, ka bërë që disa artisë, pronarë lokalesh dhe punëtorë të ngrihen në protesta për të kundërshtuar këto masa.
Dy ditë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, dhjetëra protestues kanë protestuar kundër kësaj mase, ndërsa policia e shtetit ka shpërndarë me dhunë protestën duke shoqëruar në komisariat dhjetëra pjesëmarrës, dhe duke proceduar penalisht dhjetëra të tjerë.
Policia në argumentimin e saj, thotë se procedimi ka nisur për: “ veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtim i punonjësit të Policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”, pasi kanë protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetenteve, duke penguar qarkullimin e mjeteve dhe duke i janë bindur urdhrit të punonjësve të policisë për t’u shpërndarë.”
Një këngëtare e prekur nga kjo VKM, shprehet se ajo ka protestuar për shkak se u bënë tanimë disa muaj pa punë dhe kjo situatë nuk mund të vazhdojë më si e tillë.
“Unë protestoj sepse jam pjesë e muzikantëve që preken nga VKM-ja.
Duhet theksuar se ata që preken ndoshta nuk janë muzikantët komercialë të playbackut, ose ata që ndër vite kanë krijuar bizneset e tyre. Përveç këtyre është edhe një dorë tjetër, të cilët duke qenë pjesë e koncerteve të organizuara vazhdimisht nga bashkime dhe strukturat qendrore, “duhet” të heshtin. Por shumica, janë muzikante(instrumentiste dhe këngëtare) që e kanë burim të vetëm ekonomik për mbajtjen e gjithë familjes.
Fakti që u bënë disa muaj pa punë, nënkupton se edhe kursimet që kishin u janë mbaruar, ose po u mbarohen.
Në një kohë që nuk ka një afat të qarte për mbarimin e kësaj situate, barku i familjes është çështje jetike e përditshme.”-shprehet këngëtarja Nertila Haxhia.
![këngëtarja Nertila Haxhia.](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/07/32.jpg)
“ Me ftesa speciale vetëm në fundjavë, më ndihmonte që të jetoja me familjen time.
Nga paratë e muzikës, në fejesa, dasma, ditëlindje dhe ndonjëherë lokale nate, arrita të marr një biznes të dytë, në një pjese të të cilit, kam vendosur të edukohen e argëtohen fëmijët e varfër falas.
Me paratë e muzikës, mbulova kostot e humbjes së biznesit te parë. E thënë qarte, kam funksionuar si biznes online për te mos mbajtur punonjës shtesë prej situatës. “-shprehet më tek këngëtarja Haxhia.
Dy standardet e shtetit:
Me datën 11 korrik, në Amfiteatrin tek Liqeni Artificial është mbajtur një koncert, me qindra pjesëmarrës, nën kujdesin e Bashkisë Tiranë.
Në një kohë të vështirë për vendin, për shkak të rritjes periodike të rasteve me koronavirus ky koncert u kritikua shumë pasi pjesëmarrësit nuk respektuar as rregullat minimale të vendosura nga shteti, dhe për më tepër ky koncert mbështetej pikërisht nga një institucion shtetëror, që e ka për detyrë të ndërgjegjësoj njerëzit për respektimin e rregullave.
Megi Reҫi, përfaqësuese e Civil Rights Defenders, CRD, një organizatë ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, shprehet se gjatë kohëve të fundit janë parë se qasja e institucioneve ka qenë selektive.
“Gjatë periudhës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe pas përfundimit të saj, kemi parë disa raste të shpërndarjes me dhunë të protestave, procedimit penal të pjesëmarrësve apo gjobitjes. Duhet nënvizuar që gjoba e parashikuar për organizuesit e tubimeve dhe dëgjesave publike nga akti normativ është mjaft e lartë, 5 milionë lekë të reja. Mbi të gjitha është shumë shqetësues fakti që këto penalitete, përveç se konsiderohen të ashpra, janë aplikuar në mënyrë selektive. Në një demokraci funksionale nuk mund të justifikohet një koncert ndërsa shpërndahet me dhunë një protestë paqësore, pasi një aktivitet argëtimi nuk mund të jetë më i rëndësishëm se e ushtrimi i të drejtës kushtetuese të tubimit. “-shprehet Reҫi.
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/07/30-1-1024x1024.jpg)
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2020/07/33-1024x683.jpg)
“Shteti e përdor dhunën me justifikimin se janë të ndaluara me ligj tubimet.
Megjithatë, qëllimi i protestuesve është buka e gojës, është mbijetesa në këto momente dhe parandalimi I situatave më të rënda në të cilën mund të përfshihet secili ekonomikisht me borxhe.”-shprehet këngëtarja Nertila Haxhia, e cila sjell edhe një fakt tronditës duke thënë se një muzikate ka tentuar vetëvrasjen: Për shkak se po e nxirrnin jashtë nga shtëpia qiraxhinjtë, bashkë me dy fëmijë të mitur që s’kanë çfarë hanë nwsë nëna nuk punon.
Nga ana tjetër, Organizata të Rëndësishme Ndërkombëtare, kanë bërë thirrje disa herë që qeveritë të mos e përdorin pandeminë, për të shtypur Liritë dhe të Drejtat e Njeriut.
“Duke parë edhe praktikën e shumë vendeve demokratike, kufizimet e këtij niveli mbi lirinë e tubimit mund të ishin shmangur. Protestat apo grumbullimet mund të ishin lejuar me detyrimin për të respektuar masat për mbrojtjen e shëndetit. “-shprehet më tej Megi Reҫi nga CRD
“ Qeveritë tona gjithmonë e kanë shtypur fjalën e lirë!
E kane transformuar në show hallin e qytetarëve. Sepse ata ndër vite kanë dominuar edhe hapësirat mediatike.
E shtypja qeveritare ndaj medias, ka shtypur qytetarin, e si rrjedhoje ka shtypur demokracinë. Qeveritë kanë bërë sardele fjalën e lirë! Kurse në klube, autobusë e koncerte bashkiake, njerëzit ngjeshën me njëri-tjetrin, ç’janë këto standarde të dyfishta, pse shteti ynë ka vendosur që të jetë kaq arrogant në raport me qytetarët?”- shprehet e revoltuar këngëtarja Nertila Haxhia.
Në prill të 2020, Shqipëria për herë të dytë në histori është tërhequr pjesërisht nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kjo ishte një tërheqje e diskutueshme, pasi vendi ynë tërhiqej ndër të tjera nga nenet 8 dhe 11, ku është sanksionuar edhe e drejta për protestë.
Por a mund ta dëmtojë kjo tërheqje vendin tonë, dhe të Drejtat e Njeriut në Shqipëri?
“Sipas të drejtës ndërkombëtare, shtetet kanë mundësi të dërgojnë nga Konventat dhe Traktatet në situata të tilla, por kjo nuk është një carte blanche për qeverinë për të marrë vendime arbitrare. Çdo kufizim i të drejtave të njeriut në situata të tilla si gjendja e fatkeqësisë natyrore duhet të jetë i nevojshëm, i bazuar në ligj, proporcional, jo diskriminues dhe i kufizuar në kohë. Ekziston gjithmonë mundësia që këto situata të keqpërdoren dhe të sjellin regres në zbatimin e të drejtave të njeriut, prandaj lipset shumë transparencë nga ana e qeverisë, mundësi për kontroll efektiv parlamentar dhe gjyqësor, vëmendje e shtuar nga institucionet e pavarura si dhe monitorim i vazhdueshëm nga organizatat e shoqërisë civile dhe media.”-shprehet Megi Reҫi nga CRD./ HistoriaIme