Marrëveshja e Prespës, goditje për nacionalizmin në prag të zgjedhjeve në Bashkimin Evropian

Marrëveshja e miratuar e Prespës, e cila i dha fund konfliktit që zgjaste prej më shumë se dy dekadash midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, ishte një goditje e rëndë për nacionalizmin dhe patriotizmin fals.
Kryeministri grek Aleksis Cipras, bëri këtë deklaratë gjatë një fjalimi në konferencën me titull “Prosperitet për të gjithë në një Europë të qëndrueshme”, e cila kishte në fokus të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe përgatitjen e liberalëve dhe progresivistëve për zgjedhjet e majit në Parlamentin Evropian. Ai foli dhe për nevojën e krijimit të një blloku më progresiv para zgjedhjeve europiane, në luftën kundër nacionalizmit dhe së djathtës radikale.
Kryeministri grek u shpreh i rezervuar dhe për forcat politike në Greqi, të cilat nuk e mbështetën marrëveshjen e Prespës duke deklaruar se “disa nuk patën guxim të rrezikojnë shumë më pak edhe pse e vetëquajnë veten progresistë’’. Ai e cilësoi marrëveshjen si një vendim simbolik dhe për Bashkimin Europian, i cili vjen nga Ballkani por që mund t’i shërbejë të gjithë kontinentit.
Zgjedhjet në Bashkimin Evropian
Ndërkohë që unioni po përgatitet për zgjedhje, presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, paralajmëroi ditën e djeshme mbi rrezikun e ndërhyrjes së forcave të jashtme në zgjedhje. Në një konferencë për shtyp dedikuar fushatës zgjedhore ai tha se ekziston kërcënimi për sulme dhe fushata për manipulimin e opinionit publik.
Ka forca të jashtme anti-evropiane që përpiqen, hapur ose fshehurazi, t’i ndikojnë zgjedhjet demokratike të evropianëve
Tusk nuk e përmendi në mënyrë specifike Rusinë, por qeveria britanike ka deklaruar më parë se Rusia ka bërë përpjekje për të manipuluar votimet e referendumit për daljen e Britanisë nga BE-ja. Deklarata të ngjashme kanë ardhur dhe nga Gjermania dhe Franca, të cilat kanë akuzuar sërish Rusinë se është përpjekur për të ndikuar në zgjedhjet e tyre parlamentare. /k.j