Mali i Zi në mision për të shpëtuar delfinët e ujërave shqiptare të Adriatikut
Një grup shkencëtarësh malazezë po luftojnë për të mbrojtur habitatin e delfinëve në pjesën shqiptare të Detit Adriatik, duke paralajmëruar se specia po zhduket në nivel alarmant.
Shkencëtarët e Institutit të Biologjisë Detare dhe të Universitetit të Malit të Zi të hënën prezantuan një projekt kërkimor për të identifikuar numrin dhe llojet e delfinëve në pjesën shqiptare të Adriatikut, në mënyrën që të përpiqen të mbrojnë speciet më të rrezikuara në rajon.
Misioni i kërkimit në ujërat territoriale të Shqipërisë dhe në pjesën më jugore të Detit Adriatik në kufi me Malin e Zi është organizuar brenda kornizës së programit ndërkombëtar Net Set dhe do të zgjasë një muaj.
Një grup prej pesë shkencëtarësh do të kërkojnë të dhëna mbi numrin, speciet e delfinëve dhe formën e migrimit të tyre në ujërat shqiptare.
“Këto specie janë më të kërcënuarat nga aktivitetet njerëzore në Detin Adriatik në 50 vitet e fundit,” tha kreu i Institutit Detar, Mirko Djuroviç.
Raportet mbi natyrën e konservimit në Malin e Zi thonë se kufiri bregdetar mes Malit të Zi dhe Shqipërisë është shtëpi e një shumëllojshmërie faune detare, përfshirë katër specie delfinësh.
Delfini i zakonshëm hundëshishe (Tursiops truncatus) është delfini më i hasur. Disa specie balenash janë gjithashtu vizitorë të rastësishëm të ujërave.
Dikur një specie e përhapur në Adriatik, delfini i zakonshëm ka përjetuar një ulje të përgjithshme të numrit në këtë rajon gjatë disa dekadave të fundit.
Në të shkuarën konsiderohej gjerësisht si një e keqe që shkatërronte rrjetat e peshkatarëve, arsye për të cilën shumë prej tyre u asgjësuan. Tani delfini rrezikon të zhduket nga Adriatiku dhe është në Listën e Kuqe të Specieve të Rrezikuara të Adriatikut.
Tashmë qeveritë janë më miqësore me delfinët. Të gjithë mamalët detarë që jetojnë në Adriatik ose që vizitojnë këto ujëra janë nën mbrojtjen e ligjit malazez dhe shqiptar.
Ngacmimi i qëllimshëm, kapja, mbajtja, plagosja ose vrasja e këtyre mamalëve detarë është sot një krim, i ndëshkueshëm nga ligjet vendase me penalizime të rënda.