Madamme Mec, një intervistë për bullizimin dhe homofobinë!

Projekti “Media for all” ka në qendër intervistimin e personave të komunitetit LGBTQ+. Intervistat synojnë të nxjerrin në pah problematikat, dilemat, bullizmin, sukseset, përditshmërinë dhe copëza të tjera nga jeta e personave të komunitetit në Shqipëri.
Intervista e parë u zhvillua në zyrat e ProLGBT, nisi në një pasdite të marte për të vijuar pasditen e së enjtes, ditë në të cilën edhe përfundoi. Personazhi i parë është sa karizmatik aq edhe kompleks. I pëlqen të quhet Madamme Mec dhe kështu dëshiron edhe të prezantohet gjatë intervistës. Në tavolinën e zyrës duart e tij kapin një vizore dhe sendi në fjalë bëhet “viktima”. Ai luan me të gjatë gjithë intervistës, e kalon nga njëra dorë në tjetrën, e zë me të dyja duart, e përkul lehtë. Të gjitha këto lëvizje i bën teksa është i përqëndruar tek intervista. Pas përshëndetjes dhe falenderimit që pranoi të intervistohej, futemi drejt e në temë.
Gazetari:
Sa vjeç jeni dhe me çfarë merreni, studioni, punoni?
Madamme Mec:
Jam 28 vjec. Kam mbaruar studimet për frengjisht. Momentalisht punoj mësues frengjishteje në ciklin 9-vjeçar me grupmoshën 12 – 15 vjeç.
Gazetari:
Në cilën moshë e zbuluat orientimin tuaj seksual dhe gjatë periudhës kur po zbulonit veten a e keni patur të lehtë të gjeni informacion?
Madamme Mec:
Në moshën 13 vjeçare kam zbuluar orientimin tim. Në fillim mendoja se isha gej por me kohën kuptova se jam queer. Do t’ju tregoj një episod që më ndodhi së fundmi. Tek makina ime kisha vendosur shënimin “shofere e re”. Një burrë më tha ti je djalë, pse e ke vënë kështu? Iu përgjigja se ndjehesha vajzë kur e vendosa shënimin. Nuk dua të etiketohem. Ndjehem mirë edhe si djalë, edhe si vajzë. Më në fund kam arritur të gjej feminilitetin tim. Ndihem në harmoni me identitetin tim.
Informacion nuk kisha fare. Aso kohe ka qenë viti i DigitAlbit dhe mund të shihje porno e gjëra të tilla. Intervista e Edmond Tupes ku thoshte se ne duhet ta prekim veten jo vetëm me qëllim seksual, pra jo vetëm për t’u masturbuar, por duhet ta prekim veten për ta njohur atë më ka ndihmuar shumë. Falë asaj interviste unë sot njoh çdo milimetër të trupit tim. Arrij të kuptoj kur më del një nishan i ri, kur ndryshon ngjyrën, etj. Edhe filmi “Sex and the city” ka ndikuar tek unë. Te mënyra se si e shoh seksin. Unë nuk jam i varur nga personat.
Gazetari:
A keni bërë coming out dhe nëse po cilat janë pasojat e daljes hapur? I keni vuajtur ju pasojat?
Madamme Mec:
Familja e di orientimin tim seksual. Miqtë e ngushtë gjithashtu. Kolegët, një pjesë e tyre e dinë. Daljen hapur e kam bërë në moshën 21 vjeçare. I mblodha familjarët në tavolinë dhe ia thashë copë. Në atë kohë unë kisha një lidhje dhe ndryshimi i stilit të jetesës që bëja kishte rënë në sy në familje. Pasoja sigurisht që ka. Në rastin tim nuk flas dot për veten, për lidhjen që mund të kem dhe kjo më trishton.
Gazetari:
A jeni ndjerë i bullizuar? Na tregoni ndonjë episod apo ngjarje ku keni ndjerë në mënyrë direkte apo dhe tërthorazi bullizmin.
Bullizmin e kam përjetuar që kur isha në shkollë nga bashkëmoshatarët e mi. Ka patur sharje, ofendime, kërcënime të tipit: do të të djeg, do të të vras. Më quanin pederast, je si kurvë, etj. Me kohën kam arritur ti fal bashkëmoshatarët. Më shumë se çdo gjë tjetër më ka lënduar poshtërimi. Jam sulmuar edhe fizikisht nga një grup djemsh adoleshentë.
Më falni që ju ndërpres. Si keni reaguar në çastin e sulmit?
Madamme Mec:
Jam përgjigjur sulmit me grushta edhe unë. Nuk është se jam i fuqishëm por mesa kam mundur jam kundërpërgjigjur për vetëmbrojtje.
Gazetari:
Po në shkollën ku ju jepni mësim është i pranishëm bullizmi?
Padiskutim që po. Unë si mësues mbledh gjithë problemet e nxënësve të mi. Vërej se bullizmi është jo vetëm i pranishëm por edhe me përmasa të frikshme. Kryesisht gjendja ekonomike dhe dialekti janë bazat e bullizmit tek nxënësit e mi. U flas nxënësve për bullizmin. U them se bullizmi ka pasoja të mëdha psikologjike. Në shkollat tona nuk flitet për bullizmin. Flitet vetëm nëse hapet tema. Kur punoja në Tiranë thuajse nuk kishte bullizëm, nëse ndodhte kishe mbështetës që dilnin në anën tënde. Gjatë eksperiencës sime si mësues kam patur raste kur nxënësit më kanë folur për problemet e tyre. Vajza që luanin futboll e që paragjykoheshin, djem që nuk u pëlqente futbolli, nxënës që bullizoheshin për shkak të peshës trupore, fizikut të dobët, etj. Gjithmonë u them një shprehje nxënësve të mi:
“Nëse je dru, të paktën bëhu dru i gdhendshëm me të cilin unë mund të punoj”!
Gazetari:
Cila ka qenë gjëja që ju lënduar më së shumti?
Madamme Mec:
Një nga gjërat më të trishta që unë ndjej ka të bëjë me braktisjen. I kisha kërkuar prindërve të vinin në shkollë dhe të reagonin për bullizmin, ngacmimet që merrja nga bashkëmoshatarët. Ata erdhën por nuk bënë asgjë. U ndjeva i braktisur. Shpesh ndjehem vetëm, njoh shumë njerëz, rrethohem nga shumë njerëz por ndjej që nuk kam asnjë prej tyre.
Le të kthehemi tek jeta juaj jashtë mësuesisë. A keni patur mbështetje nga organizatat?
Po kam patur mbështetje, veçanërisht nga Streha. Në periudhën që ika dhjetë ditë nga shtëpia për shkak se u dhunova nga disa persona. Prindërit ishin të bindur se unë duhet ti kisha provokuar vetë ata. Kjo gjë përveç se më lëndoi, bëri që të largohesha për dhjetë ditë e të mos ju përgjigjesha thirrjeve të tyre në telefon.
Jemi në fund të intervistës. Do të doja ta mbyllnin me një pyetje që bart art brenda. Nëse do ishit piktor cila pikturë mendoni se do t’ju përfaqësonte më mirë?
Madamme Mec:
Jam më shumë te piktura abstrakte. Mendoj se do më përfaqësonte një dorë blu që shkon poshtë. Më pëlqen ngjyra blu se po ti shohësh yjet në negativ ata më të nxehtit dalin blu. Dora në rrëshqitje simbolizon rënien, sado që përpiqem të ngrihem, bie.