Lufta në Jemen: vendi në krizë humanitare

Jemeni është zyrtarisht në zi buke. Shteti i dobët i Lindjes së Mesme, është në kulmin e një krize humanitare, që kur kryengritjet kundër regjimit gjatë pranverës arabe, u kthyen në një luftë civile dhe më pas në një konflikt rajonal që përfshiu Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Gjatë dekadës së fundit, problemet në Jemen kanë ardhur duke u shtuar. Luftimet e vazhdueshme, sanksionet politike dhe paqëndrueshmëria politike, kanë sjellë një situatë ku tetë milionë njerëz janë në prag të urisë. Zyrtarët e OKB thonë se numri mund të rritet shpejt në më shumë se 12 milionë, rreth gjysmën e popullsisë së Jemenit, përveç nëse luftimet ndalen.
Pothuajse gjysmë milioni fëmijë të Jemenit janë kronikisht të kequshqyer; shumë prej tyre kanë gjasa të vdesin brenda disa muajve të ardhshëm nëse konflikti vazhdon. Kolera (ka pasur 13,000 raste të raportuara vetëm në tetor) dhe sëmundje të tjera janë kthyer në një rrezik për popullsinë, përpos urisë.
Kriza duket se po shqetëson dhe shtetet perëndimore, për shkak të potencialit të saj për të [ërkeqësuar situatën në rajon. Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis tha javët e fundit se negociatat për një armëpushim duhet të fillojnë brenda një muaji, ndërsa Sekretari i Shtetit Pompeo tha se sulmet me raketa në tokën Saudite duhet të ndalen dhe njëkohësisht “sulmet ajrore të koalicionit duhet të pushojnë në të gjitha zonat e populluara në Jemen”.
Britania e Madhe, një furnizues i madh i armëve për sauditët, i bëri jehonë mesazhit amerikan.
I dërguari i OKB-së në Jemen, Martin Griffiths, organizoi bisedime në Zvicër në shtator, por delegacioni i rebelëve Houthi refuzoi të marr pjesë, duke cituar shqetësimet e sigurisë. Një tjetër përpjekje është planifikuar në Suedi javët e ardhshme. / k.j