Ligji i ri për transportin: Brenda 6 muajve furgonët do të dalin jashtë qarkullimit
Kuvendi miratoi dje ligjin e ri të transportit publik, i cili nxjerr jashtë qarkullimit furgonët në linjat ndërqytetase. Ministri i Transporteve Edmond Haxhinasto premtoi se tarifimi do të bëhet në bazë të kilometrave dhe to të aplikohen bileta elektronike me mundësi transferimi nga një linjë në tjetrën.
Furgonët 8 + 1 do të funksionojnë si mjete transporti vetëm brenda bashkive dhe nuk do të jenë më pjesë e transportit ndërqytetas.
Ligji i ri për transportin publik parashikon krijimin e terminaleve për çdo qytet dhe përcaktimin cdo tre vite të linjave dhe orareve të autobusëve nga ministria e transporteve.
Ky ligj do të ndryshojë dhe mënyrën e funksionimit të furgonëve, duke krijuar shoqëri bashkiake, ku operatorët do të futen si aksionerë mbi bazën e automjeteve që disponojnë.
“Krijimi i këtyre shoqërive do të krijojë mundësinë e krijimit të flotave të transportit dhe ky është një kusht dhe predispozitë e rëndësishme e kësaj reforme. Me qëllim që të kemi një kalendar për rinovimin e flotës dhe brenda 5-6 viteve, sistemi ynë i transportit të ketë mjete të standardizuara dhe të sigurta që ofrojnë shërbimin që meritojnë qytetarët shqiptarë”, -tha Haxhinasto.
/l.k./