Lidhja e çuditshme mes së djathtës ekstreme në Shqipëri dhe kishave protestante

NGA ISA MYZYRAJ
Në Shqipëri, në 32 vitet e fundit rrymat ekstreme politiko-ideologjike, por edhe fetare kanë patur hapësirë dhe rëndësi relative. Herë për arsye gjeo-strategjike, herë për shkak të historisë së shqiptarëve, edhe nëse disa prej tyre kanë ekzistuar ndikimi i tyre në shoqëri ka qenë minimal.
Kjo është ekzaktësisht ajo që po ndryshon vitet e fundit. Elementët e parë ekstremë që kanë akses dhe ndikim në një pjesë të medias, e që I konsiderojnë rrjetet sociale si një mundësi e artë për të hedhur rrënjë në publik kane filluar të shfaqen në një mënyrë dukshëm në rritje edhe në Shqipëri.
Në Evropë ishte paralajmëruar që kontinenti mund të përfshihej në një rritje të rrezikshme të së djathtës ekstreme. Suedia, dhe Italia e dëshmuan në vitin 2022, kur në të dy shtetet fituan ekstremët e djathtë. Ishte tronditëse për Evropën, por jo e papritur.
Në Shqipëri ekstremin e djathtë e përfaqëson Altin Goxhaj, i cili herë shfaqet si avokat, herë si aktivist, herë si kritik i globalizmit, ndërsa muajt e fundit është regjistruar edhe si simpatizant i Partisë Demokratike të Shqipërisë, të drejtuar nga Sali Berisha.

Në një përpjekje strategjike për të mbajtur rreth vetes segmentin më konservator të shoqërisë, atë pjesë të shqiptarëve që, për shembull, frymëzohen nga Altin Goxhaj – edhe PD, autorja e ligjit kundër diskriminimit që kur u miratua në vitin 2010 ishte ndër ligjet me të mira në Europë, ka nisur të mbajë herë pas here qëndrime kundër komunitetit LGBTI+, njësoj si Goxhaj, i cili ka qenë më i ashpër, duke orkestruar herë pas here edhe fushata publike sulmesh e fyerjesh ndaj komunitetit LGBTI+.
Kulti i individit brenda kishës
Akil Pano është pastor i një kishe protestante në Tiranë. Kishat protestante në Shqipëri kanë një status zyrtar që kur ato u njohën si një ndër 5 fetë zyrtare në Shqipëri dhe përfaqësohen nga Vëllazëria Ungjillore në Shqipëri pavarësisht se janë në të vërtetë një konglomerat qëndrash fetare që shpesh ndryshojnë nga njëra tjetra.
Ndryshe nga Kisha Katolike apo ajo ortodokse që janë institucione të centralizuara, kishat protestante kanë shpësh identitete të ndryshme fetare e kulturore, por edhe burime të ndryshme financiare, bazuar kryesisht në origjinën e tyre. Kishat shqiptare protestante që janë ndërtuar për shembull si projekte nga kisha të mëdha amerikane, ndryshojnë nga kishat me lidhje gjermane, apo ato me lidhje daneze.

Pano, është bërë i njohur për qëndrimet e tij të theksuara kundër komunitetit LGBTI+ që kur nisi të përdorë daljet e para publike. Në daljet e tij të para në emisione si Zonë e Lirë, apo Opinion, Pano ka preferuar të ndërtojë për veten një narrativë thelbësisht fetare, të angazhuar me çështjet sociale si një thirrje e lidhur me besimin, por jo si një projekt politik dhe ideologjik konservator. Në daljet e para publike, ai i lexonte aktivistit Kristi Pinderi vargje nga Bibla, edhe pse ndonjëherë i tregonte edhe ndonjë barcaletë me konotacion erotik për ta intimiduar.
Së fundmi, Pano nuk lë rast pa humbur për të folur për atë që ai e quan “shkatërrimin e familjes nga komuniteti LGBTI+”, një ‘diagnozë’ e pasaktë po të kemi parasysh sfidat e mëdha ekonomike dhe shoqërore me të cilat familjet shqiptare, përfshirë familjet LGBTQ+ ose familjet e personave LGBTQ+, përballen çdo ditë.

Pano është një përdorues pragmatik dhe shpesh i dyshimtë i rrjeteve sociale, ku ka mundur të ndërtojë një kult të mirëfilltë rreth imazhit të tij, në një mënyrë që pak pastorë të tjerë shqiptarë, apo edhe priftërinj e hoxhallarë, kanë mundur ta bëjnë. Facebook, Instagram, Twitter, TikTok, apo çdo hapësirë tjetër që përdoret nga të rinjtë shfytëzohet gjithashtu edhe nga pastori për të shpërndarë ideologjinë dhe propagandën e tij kundër komunitetit LGBTI+. Mesazhet e tij janë si një paketë paniku moral të bazuar te emocionet, frika, dezinformimi dhe injoranca.
Një lidhje e re
Shqipëria është ndër vendet e pakta në rajon ku feja ka një ndikim në politikë të ndryshëm nga ndikimi më rrënjësor që kanë fetë në vendet e tjera të Ballkanit.
Nëse e krahasojmë Shqipërinë me Malin e Zi, për shembull, ose edhe Serbinë apo Greqinë, qartazi ndikimi i fesë në çështjet e shtetit shqiptar është më i vogël.
Megjithatë, nëse në vendet e tjera feja përpiqet të ketë një pushtet mbi partitë, një pushtet politik me natyrë identitare, një pushtet që zakonisht targeton shtetin dhe jo parti të caktuara, në Shqipëri po ndodh diçka krejt e re. Lidhja mes Pastorit Akil Pano, dhe Altin Goxhajt, i cili së fundmi është bërë pjesë e hartës së të djathtës ekstreme në Ballkan përpiluar nga BIRN, është e pazakontë në vetvete.

Siç duket qartë në të gjitha postimet e Goxhajt dhe Panos, rrugët e të dyve janë bashkuar tek dizinformimi për komunitetin LGBTI+ që e shikojnë si një target të lehtë, urrejtja ndaj të cilit mobilizon më lehtësisht njerëzit, e mobilizon më shumë njerëz. Si Goxhaj, ashtu Pano kanë një gjuhë të njëjtë kur vjen puna për të folur kundër komunitetit, frymëzohen nga të njëjtë elementë të së djathtës ekstreme në SHBA (Goxhaj nga Trump) ose në Europë (Pano nga Orban). Goxhaj akuzon Sorosin dhe i fryn çdo teorie konspirative që ekziston përreth, ndërsa Pano merr pjesë në konferenca të konservatorëve ekstreme në Hungari apo gjetkë, evente që shpesh janë denoncuar si skena ndërkombëtare për lloj lloj racistësh dhe antisemitësh.
Ata shpesh pastaj marrin pjesë në aktivitete kundër komunitetit LGBTQ+ që i reklamojnë në rrjetet sociale.

Që lidhja mes politikës dhe pjesëzave të pjesëzave të kishës protestane është bërë më e fortë vitet e fundit në Shqipëri e forcon edhe fakti që Pano ka gjetur edhe mbështetjen e Ilir Metës, kryetarit të Partisë së Lirisë, ku si president e dekoroi Panon, ndërsa ky i fundit është parë edhe në disa tryeza të organizuara nga Partia Demorkatike e Shqipërisë, e drejtuar nga Sali Berisha.

Që lidhja e çuditshme mes Goxhajt dhe Panos është e fortë, e dëshmojnë edhe dhjetëra pastime në rrjetet sociale të të dyve, ndërsa Goxhaj nuk ka nguruar ta përfaqësojë si avokat Panon në çështje të ndryshme të tij.

Protestantët, ca me opozitën, ca me qeverinë
Protestantizmi është emërtimi i përbashkët i rrymave të ndryshme krishtere, që u shkëputën nga kisha katolike në shek. XVI. Protestantët nuk pranojnë papën si kryetar të kishës, një pjesë e tyre kundërshtojnë beqarinë e priftërinjve, janë për ceremoni fetare të thjeshta dhe kundër adhurimit të ikonave, etj. Ironikisht, shumë prej protestantëve kanë qenë ideatorë dhe arkitektë të kulteve të individit, një formë e re e ikonoklasisë kontemporane, përmes teleingjillizimit që u ka krijuar shumë prej tyre mundësinë të kenë emisionet e veta në televizor.
Në Shqipëri pikëpamjet Protestante lindën në kohën kur shteti jo vetëm që ishte dobësuar, por edhe vihej në pikëpyetje ekzistenca e tij.
“Dokumentojmë që në vitin 1887 themelohet kisha e parë protestante ndër shqiptarë dhe kjo fillon në Manastir dhe pastaj në Korçë më 1892 me në krye predikuesin shqiptar, Gjerasim Qiriazi” -kujton Ylli Doçi, Kryetar i Komunitetit Ungjillor Shqiptar një një bisedë me gazetat e kohës në vitin 2016, duke shtuar se në vitin 1827, u botua Bibla në gjuhën shqipe nën ndikimin e Protestantëve.
Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi njihen si patriote dhe atdhetare shqiptare lindur dhe rritur në Manastir, por ato njihen brenda hapësirave të kishave protestante në Shqipëri (dhe shumë më pak përtej mureve të disa kishave) edhe për kontributin dhe lidhjet e tyre direkte me protestantizmin në Shqipëri.
Por sot, protestantët në vend, ndryshe nga Motrat Qiriazi që formimin e shtetit shqiptar e shikonin si rezultat të ngritjes së ndërgjegjes kombëtare, e shikojnë shtetin si hapësirë pushteti dhe influence. Ndaj, nga pikëpamja politike, protestanët e sotëm në Shqipëri janë të ndarë në dy drejtime, në ata që e mbështesin Partinë Socialiste dhe ata që e mbështesin Partinë Demokratike.
Tonin Gogu, një ish-Pastor, gjeti pozicione të larta në Partinë Socialiste në Bashkinë e Tiranës, ndërsa për shkak të përkushtimit të tij u bë edhe prefekti i Tiranës, e më pas edhe deputet i PS detyrë që mban edhe sot. Erion Veliaj, Etjen Xhafaj edhe të tjerë eksponentë të socialistëve janë besimtarë protestantë praktikantë.
Nga ana tjetër, rryma tjetër që përfaqësohet nga Akil Pano mbështet Partinë Demokratike dhe krijon aleanca me përfaqësues të ekstremit të djathtë siç është Altin Goxhaj.
Kjo ndarje interesante, edhe pse e pabarabartë po të shikosh, se ata të qeverisë janë në Kuvend, kurse këta të tjerët janë në Facebook, është një shenjë e qartë e një ndryshimi thelbësor në rolin që feja ka filluar haptazi të luajë në politikën shqiptare.


