LGBT DHE ROMË/ Dy herë të diskriminuar

“Mund të flasësh gjithçka, pasi rrëfimi nuk do të publikohet me emër”- them unë para se të nisi bashkëbisedimin!
“Sigurisht që do e publikosh me emër. Unë quhem Lili, dhe ashtu do e shënosh”-më thotë pa pikë dyshimi, vajza që ndodhej përballë meje, në një dhomë ku ishim vetëm unë dhe ajo, unë që e dëgjoja e ajo që vetëm fliste, me një zë të mrekullueshëm.
Teksa flet me Lilin, e kupton që persona të tjerë, diku tjetër, në rrugët e Tiranës, a në kafene, në park a në lagjen tëndë, ndodhet dikush shumë i fortë, një forcë që vështirë ta mendosh që mund ta ketë një njeri, por Lili e dëshmon në çdo fjalë të saj.
Ajo tregon se që në moshën 15-vjeç, ka arritur që të njohë orientimin e saj seksual dhe identitetin gjinor. “Edhe pse isha djalë, unë e ndjeja veten vajzë, doja të isha vajzë, dhe nuk e kufizova veten”-shprehet Lili, me një zë që tregonte veçse forcë, e guxim, asgjë tjetër, as thyerje e as rrëzim.
Edhe pse familja nuk e ka kuptuar kurrë orientimin e saj seksual dhe identitetin gjinor, Lili na tregon për jetën e saj, jo fort të lehtë.
“20-vite” -thotë Lili – ka punuar dhe vijon të punojë si punonjëse seksi në rrugët e Tiranës.
Por duket sikur gjërat herë kanë ngritjet e tyre e herë rënie.
“Në fillim ishte më ndryshe, tani situata është më e vështirë, ka shumë diskriminim, sharje e fyerje, është bërë e papërballueshme, vërtetë”-shprehet Lili, anëtare e komunitetit rom dhe LGBT.
“Kam kërkuar një shtëpi me qira, ata nuk më jepnin shtëpi vetëm se isha anëtare e komunitetit rom dhe LGBT, kam pasur shumë vështirësi me gjetjen e ambienteve për të jetuar. Nuk i kërkoja falas por me lekë, si të gjithë, nuk më jepnin, u ndjeja keq, por nuk kisha ç’të bëja, vazhdoja para”-thotë më tej Lili.
“Shoqëria më ka përbuzuar disa herë, në ambientet e punës ndodhin gjëra të ndryshme, ofendime, e sharje, dhunë psikologjike dhe emocionale. Unë ndihem shumë keq ndaj këtij diskriminimi.
Është e vështirë të ndihesh keq çdo natë, të diskriminohesh çdo natë, është shumë e vështirë.”-vijon më tej ajo.
Por, si të mos mjaftonte e gjitha, ajo duhet të përballet edhe me shtetin, me policinë, herë pas here.
“Kemi problem edhe policinë, ajo është shumë e ashpër me ne. Ato ushtojnë dhunë ndaj nesh. Janë shumë diskriminues, ato duhet të bëjnë punën e vetë, jo të shajnë dhe të ofendojnë. “-thotë Lili teksa tregon edhe një rast kokret:
“Një natë erdhi policia, dhe na tha ikni, ishte duke rënë shi, ne ishim bërë qull, dhe ne i thamë ‘edhe në netë të vështira nuk na lini të punojmë, të nxjerrim bukën e gojës’ ata na thanë që të largohemi, nëse nuk duam që të përdorin dhunë, na kërcënuan, ne u larguam sigurisht.”-e mbyll rrëfimin e saj Lili, e cila përsëri është e fortë e mbijetuese./HistoriaIme