Largimet nga puna, 14 milionë dollarë dëm ekonomik
Vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna si në administratën shtetërore edhe atë vendore, mbeten në pjesën dërrmuese të pazbatuara në Shqipëri dhe shkaktojnë një barrë të rëndë për buxhetin e shtetit.
Sipas Raportit Vjetor të Komisionierit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, pjesa dërrmuese e vendimeve të formës së prerë vijojnë të mos zbatohen në kundërshtim me ligjin dhe procedurën gjyqësore.
Në vitin 2018 ka rreth 609 akte administrative të depozituara pranë gjykatave, nga të cilat janë ekzekutuar vetëm 100 vendime gjyqësore ose 32% e tyre dhe kanë mbetur për t’u ekzekutuar 209 vendime gjyqësore të formës së prerë ose 68% e tyre”.
Edhe në institucionet e vetëqeverisjes vendore, sipas raportit janë ankimuar pranë gjykatave 323 akte administrative, nga të cilat janë zgjidhur me vendim të formës së prerë vetëm 214 raste dhe ndër to 62 ankimime janë rrëzuar. Raporti vlerëson se janë ekzekutuar vetëm 62 vendime gjyqësore ose 41% e tyre ndërsa pjesa tjetër mbetet e paplotësuar.
Njëkohësisht raporti vlerëson se edhe shqyrtimi në gjykatë i ankimimeve për lirimet e padrejta nga puna ka rezultuar të zgjasë mbi 3 vjet, fenomen ky që përkeqëson më tej problemin.
Shpenzimet për largimet e padrejta në buxhetin e vitit 2018 në Shqipëri, sipas të dhënave nga portali joqeveritar “Open.Spending.Albania”, kapin shumën e 13.8 milionë dollarëve me 2.595 transaksione të kryera nga janari i 2018 deri në fund të dhjetorit për shlyerjen e pagave për personat e larguar./k.j
Burimi: VOA