Ku i gjeni 100 milionë lekë çdo vit znj. Kryemadhi?

Nuk ka për të patur asnjë zhvillim Shqipëria pa marrë vesh me detaje sa lek ka kushtuar vila e z. Edi rama dhe ku i ka gjetur ai ato lekë, sepse kjo ka lidhje direkte me llogaridhënien, me korrupsionin dhe me funksionimin e shtetit dhe të demokracisw.
Por së fundmi, kësaj kërkese, – për të qënë të ndershëm dhe konsistentë deri në fund, – i duhet t’i shtojmë një kërkesë tjetër. Këtë për znj. Kryemadhi dhe bashkëshortin e saj, Presidentin e Republikës.
Më konkretisht, bazuar në të gjitha standartet normale të gazetarisë, do të duhet të kishte vetëm një lajm nga prania të enjten e kaluar të kryetares së LSI znj. Monika Kryemadhi në emisionin “Open”.
Ky lajm nuk do duhet të ishte deklarata se ajo dhe familja e saj ishte kërcënuar (ky është një lajm që u takon grupeve kriminale më shumë, si dhe policisë, pa dyshim).
As që gruaja e Presidentit të Republikës nuk beson në asnjë institucion të shtetit që drejton burri i vet (nuk besoj tek ky sistem, tha ajo).
I vetmi lajm për të cilin të gjithë gazetarët duhet të pyesnin edhe të investigonin duhet të vërtitej rreth një pyetje: Ku i gjen lekët Monika dhe Iliri për të paguar shkollat më të shtrenjta në botë për të arsimuar tre fëmijët e tyre?
Studentët e matematikës në Exeter University ku Kryemadhi tha se i studionte njëra nga vajzat, paguajnë një tarifë prej 20,500 paundësh britanikë në vit. Përveç kësaj, kërkohet që në llogarinë bankare të studentit të ketë të paktën 1100 paund të tjera në muaj për një total prej 9 muajsh në vit dhe kjo është shifra minimale, pa llogaritur shpenzime të tjera për shërbime të ndryshme (pra kërkohen minimalisht edhe 9900 paundë të tjerë).
Sapo kemi përfunduar llogaritjet për një prej tre fëmijëve të çiftit Kryemadhi-Meta. Shkollimi I saj u kushton atyre 30,400 paund, (tarifa e shkollës dhe kostot minimale të jetesës, pa llogaritur biletat e avionit apo kosto të tjera shtesë).
Ketu: Kostot e plota të Exeter University
https://www.exeter.ac.uk/undergraduate/money/fees/#International
Znj. Kryemadhi, gjatë emisionit Open të Eni Vasilit, deklaroi gjithashtu se djali i saj studion në Cambridge. Exeter, ku i studion vajza, është një ndër 20 universitetet më të mira, mirëpo Cambridge, ku studioka djali, është edhe më i mirë në renditjet jo vetëm britanike, por botërore. Vjet, për shembull, ishte i pesti në botë).
Në grupin e parë të degëve atje, mësojmë se tarifa është 19,197 paundësh britanikë, në vit.
Po të shtosh këtu edhe kostot minimale të jetesës, kërkesë kjo e detyrueshme për çdo student ndërkombëtar në Britani (1,100 paundë të tjera çdo muaj), arrijmë edhe këtu në rreth 30,000 paundë të tjerë në vit.
Kostot e plota të Cambridge:
https://www.undergraduate.study.cam.ac.uk/international-students/fees
Vajza e vogël e çiftit Kryemadhi-Meta, sipas nënës së saj, jeton dhe studion në një kolegj, ku nisur nga mosha dhe sigurisht nga tërësia e shërbimeve, edhe pse nuk e dimë emrin e kolegjit, mund ta marrim me mend se edhe ajo kërkon të paktën 30-40 mijë paundë të tjera në vit. Dhe këto janë llogaritjet më minimale dhe më konservatore të mundshme.
Në vit, Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta paguakan 100 mijë paund britanikë, ose 140.681,810 lekë.
Pra, 140 milionë lekë (të vjetra) apo 420 milionë lekë minimalisht për tre vite shkollimi bazë pa llogaritur këtu studimet e mëtejshme master apo të tjera.
Pyetja vijuese është: sa lek e ka rrogën Presidenti dhe deputeti e të dy bashkë të kombinuar?
Presidenti i Republikës së Shqipërisë paguhet 257,000 lekë në muaj (ose 2 milion e gjysëm të vjetra). Ndërsa deputeti (pa llogaritur shtesat apo rimbursimet e tjera) paguhet mesatarisht 150,000 lekë (pra 1 milion e gjysëm lekë të vjetra).
Në total, zonja Monika Kryemadhi dhe Ilir Meta fitojnë rreth 50 milionë lekë të vjetra në vit të dy bashkë.
Dhe po të dy bashkë, paguajnë rreth 150 milionë lekë vetëm për shkollimin e fëmijëve.
Atë ditë në studio, dhe derisa të ketë një përgjigje shteruese (jo të tipit “i kemi deklaruar të gjitha” se ti deklarosh nuk do të thotë të sqarosh ku i gjete), e vetmja pyetje që duhet ti bëhet znj. Kryemadhi dhe z. Meta është: ku i gjeni 100 milionë lekë çdo vit për shkollat e fëmijëve?
/k.p/