Kryeministri Rama njofton zyrtarisht Krizën Energjetike

Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me një mesazh qytetarëve shqiptarë lidhur me krizën energjetike, të cilën e konsideron një tjetër fatkeqësi natyrore.
Duke e konsideruar fatkeqësi natyrore kreu i qeverisë tha se në aspektin ekonomik e social kjo krizë ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë
Kryeministri paralajmëron se si pasojë e kësaj krize, mund të përballemi me çmime marramendëse.
“Vala goditëse e një tjetër fatkeqësie natyrore, kësaj radhe e kombinuar me faktorë gjeopolitikë dhe manovra tregtare, po vjen drejt Shqipërisë.
Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit, nuk kërcënon jetë njerëzish. Por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë.
Kjo, është kriza e jashtëzakonshme energjitike, e cila vetëm sapo ka nisur, të japë shenjat e saj tejet shqetësuese në tregjet e mëdha të botës, duke nisur nga Kina e Koreja e Jugut, në Amerikë, në Britaninë e Madhe dhe në hapësirën e Bashkimit Europian, e deri në vendet fqinje, si Italia e Greqia.
Temperatura e kësaj krize po rritet kudo, tanimë me orë jo me ditë, ndërkohë që ulja e temperaturave të motit, po afron bashkë me dimrin dhe me rritjen e natyrshme të nevojës edhe për ngrohje.
Tamam kur shpresat për rikthimin në normalitet, pas tragjedisë së shkaktuar nga pandemia, të cilës njerëzimi po i paguan koston e humbjeve njerëzore të një lufte botërore, janë rritur ndjeshëm, falë vaksinimit masiv dhe ritmeve të larta të rimëkëmbjes ekonomike, kjo krizë e re, na vendos me detyrim përcaktim përpara një sprove të re, po aq të fortë sa tërmeti e sa pandemia, në aspektin ekonomik e social.”– ka deklaruar kryeministri Rama.
“Ritmet e larta të rimëkëmbjes nga pandemia dhe nevoja e tejrritur për energji, e kanë rritur çmimin e gazit me rreth 250%, atë të karbonit me rreth 80%, ndërkohë që çmimi i naftës ka kërcyer lart, nga rreth 60$ për fuçi në Gusht të 2021, tek rreth 80$ në momentin që flasim dhe sipas projeksioneve të sotme, çmimi mund të arrijë në $100 për fuçi deri në fund të vitit.”- tha Rama./HistoriaIme